Raportimi i auditores së përgjithshme, Vlora Spanca në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, u përcoll me përplasje e akuza mes deputetëve, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhje nuk munguan as ofendimet nga deputetja e VV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku e ajo e AAK-së, Albana Bytyqi.
“Sa e pafytyrë”, iu drejtua Tishukaj-Sadiku. “Shikoje fytyrën tënde”, iu përgjigj Bytyqi.
Spanca ka thënë se sa i përket raporteve që kanë dërguar për sezonën 2022/23, kanë pranuar të gjitha planet e veprimit për organizatat buxhetore, për auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë, porse shton se 19 organizata buxhetore i kanë dërguar këto plane të veprimit me vonesë.
“Ministria e Financave nuk e mbikëqyr zyrën kombëtare të auditimit, e ndan buxhetin tavanin, por auditori i përgjithshëm e mbikëqyr edhe Ministrinë e Financave. Sa i përket auditimeve të ndërmarrjeve publike, nuk ka të bëjë kjo me Qeverinë Kurti apo Haradinaj, është vendim i auditorit të përgjithshëm”, tha Spanca.
Ndërkaq, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku ka kundërshtuar deklaratën e deputetes Bajrami. Sipas saj opozita është duke munduar të nxjerr debate parlamentare prej hiçit, siç tha ajo, për fushatë elektorale.
“Ne këtu si deputetë nuk e kemi kryer as detyrën tonë. Falënderim për Zyrën Kombëtare se nuk ka qenë obligim i juaji t’i vendosni edhe rekomandimet tona, por ne si deputetë është dashur t’i vizitojmë institucionet dhe t’i mbajmë përgjegjës për ato rekomandime. Në përqindje rreth 80 për qind të këtyre rekomandimeve i kam dhënë unë, asnjë nuk e ka dhënë deputeti Beqa, prandaj nuk është e drejtë të lëshohet një mal me akuza dhe ën fund ta sheh më të arsyeshme të shkojë në një varrim dhe mos ta kryej detyrën që është i thirrur si deputet”, tha Tishukaj-Sadiku.
Ndërkaq, për këtë, deputetja Bajrami ka thënë se 102 milionë të KEK-ut me kontrata njëburimore do t’i nxjerrin në rezolutë në Kuvend dhe që sipas saj, janë rekomandime që duhet të auditohen.
Anën tjetër, deputeti tjetër nga partia në pushtet, Halil Thaçi i ka bërë thirrje prokurorit të shtetit që të marrë në pyetje deputeten Bajrami për deklaratat e bëra.
“Drejtoju prokurorit të shtetit dhe të dëshmosh këto që po i deklaron këtu. Javën e kaluar the Liburn Aliu me telefon po injoron operatorët për me marr tenderit unë i bëj thirrje që ty te intervistojë që ke telefonata të tilla. Është një lloj patriotizmi edhe nëse shkon te prokurori dhe dëshmon”, tha deputeti i VV-së, Halil Thaçi.