Përplasje mes Memli Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Lista Serbe është në koalicion me ju

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, ka replikuar disa herë me shefin e grupit parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi ka akuzuar VV’në se kanë ndërruar kauzat e tyre dhe tani nuk i mbrojnë më ato si dikur, kur edhe bënin aksione në Kuvend, dhe jashtë tij.

“Askush nga VV’ja, as nga qeverisja, nuk ka dhënë asnjë element për kauzën e juaj  për bashkim kombëtar. Ju keni hequr dorë totalisht nga kjo kauzë. Ju kujtoj edhe një herë se tani jeni në koalicion me Listën Serbe, që gjithmonë e keni sulmuar dhe keni sulmuar edhe të tjerët që ishin në qeverisje”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa për këtë deklaratë të Krasniqit ka kërkuar replikë, Rexhep Selimi.

“Askush nga VV nuk ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar, as nuk kemi dhënë elemente që e kemi bërë këtë. Nuk jemi në koalicion me Lsitën Serbe dhe këtë e dini mirë. Vetëm e kemi respektuar Kushtetutën dhe u kemi dhënë ministritë që janë obligim për to. Më leni të ju kujtoj juve dhe opinionit se ishit ju ata që bëtë koalicion me Lsitën Serbe me keqqeverisjen e juaj”, tha Selimi.

Këtu Krasniqi kërkoi edhe një herë një kundër replikë.

 “Më vjen keq që ju kanë vënë pozitë për të mbrojtur këtë metamorfozë të juaj”

“Smundeni me i thënë askujt që Listën Serbe nuk e keni në koalicion ndërsa ne nuk e kemi pasur. Lista Serbe nuk ka ardhur kurrë në mbledhje të qeverisë, ndërsa tek ju po vijnë në Prevallë.  Lideri i juaj ka kërkuar disa herë reparacione dhe dëmshpërblime nga Serbia ndërsa tash nuk ka më këso kauza, e mora fjalën vetëm të jua bëjë me dije”

Të ngjashme