Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, kanë pasur një përplasje të ashpër në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal, raporton Ekonomia Online.
Kjo gjatë raportimit të Komisionit të Pavarur për Media lidhur me kanalet e Premier Ligës dhe letrës që mori kryetari i Komisionit, Valon Ramadani.
Agim Veliu tha se letra e Premier Ligës e publikuar nga Ramadani, nuk sqaron asgjë.
“Shpjegimet e KPM-së sa i kam dëgjuar unë për një pjesë të komisionit kanë qenë të kota e sipas insistimit të bërë po del që të gjithë që nuk marrin direktiva për vendime sulmohen e etiketohen, nëse e kemi kuptuar drejtë vendimi i KPM-së ka qenë masë e përkohshme, e na si komisioni s’kemi fuqi t’i ballafaqojmë e konstatojmë”, u shpreh Agim Veliu.
“Letra e datës 12 mars nuk ka sqaruar asgjë. Ta orientojmë problematikën në kanalet që duhet nëse është nevoja i propozojmë Kuvendit me kriju komision hetimor, ose e dërgojmë në prokurori dhe mos të merremi me kësi cilësime. Vendimi i KPM-së ka qenë një masë e përkohshme, dhe pas kësaj kanë marrë një vendim tjetër. Ne si komision nuk kem kapacitete dhe mundësi me konstatua nëse vendimi ka qenë i ligjshëm apo jo”, tha Veliu.
Këtu reagoi ashpër edhe deputeti i VV-së, Muzaqi, i cili tha se Veliu ka shkuar në Komision të merret me deputetët e Vetëvendosjes.
“Me gjasë kolegu paska ardh me u marr me deputetët e LVV-së dhe jo me KPM-në dhe çështjen. Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion direkt të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar Arena Sportin nga Serbia që përmes ArtMotion të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë”. Nëse për anëtarët e KPM-së nuk e di pse për ty nuk është e qartë Agim”, tha Muzaqi.
“Mos fol palidhje”, tha Agim Veliu.
Pastaj iu përgjigj deputeti Muzaqi “Ti mos fol palidhje mos ndërhyjë. Unë e ti s’kem nevojë mu mat kush ka kanar e jo”.