Deputeti Eman Rrahmani, ka kritikuar ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, që me kurrikulen për arsim lidhur me edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues, po dërgon nxënësit në degjenerim dhe rrezikon mirëqenien e fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kjo kurrikul dërgon edhe në pedofili.
“Unë besoj që do të duhej që të tregohej se sa mjete janë shpenzuar se sa janë shpenzuar për ligjin kalimin e ligjit ku lejohet martesa e burrit me burrë. Këtu sot duhet të del që të tregoj ministri i Kulturës se sa mjete i ka dhënë dhe pse secili projekt prioritet i jepet komunitetit LGBT. Këtu sot do të duhej të tregonte edhe ministri i shëndetësisë se sa mjete ka jep për t’u lejuar surrogacia, për t’u lindur fëmijë që të mos ketë të drejtë të njoh se kë ka nënë e kë ka babë. Këtu sot do të duhej të fliste dhe të tregonte ministrja Nagavci se çka ka bërë për korrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues”, tha Rrahmani.
Në atë kurrikul, sipas tij përfshihet sesi mësimdhënësit u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri 12-në sesi kryhen marrëdhëniet seksuale në shtëpinë e tyre…
“A është ky angazhimi ynë politik që kemi kërkuar para njerëzve. Pse kemi ardhur në këtë situatë. Pse nuk vjen ministria asnjëherë në raportime para Komisionit në këto çështje… Unë kisha kërkuaa nga ministrja Nagavci që të del dhe të shpjegoj se sa mjete financiare ka shpenzuar gjatë mandatit të saj, për degjenerim, për rrezikim të qenies dhe jetës së fëmijëve. Ajo dërgon edhe në pedofili, ajo dërgon edhe në seksualitet edhe në shkollat fillore”, ka thënë ai.
Ministrja Arbërie Nagavci, i është përgjigjur kritikave të deputetit Eman Rrahmani, i cili e akuzoi ministren që me kurrikulë mësimorë është duke i rrezikuar mirëqenien e fëmijëve.
Nagavci ka thënë se deputeti në fjalë çdo herë e ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit për interesa personale.
Ajo ka theksuar se kurrikulat e miratuara nga ministria kanë të bëjnë me edukimin dhe mirë edukimin e të gjithë vajzave dhe djemve. “Është për keqardhje që të keqpërdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesat personale ose të një grupi. Thjeshtë dhe shkurt deputeti Rrahmani kurrikulat tona që i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mire edukimin e të gjithë vajzave dhe djemve. Në mënyrë që asnjë vajzë e as një djalë të mos keqpërdoret ashtu siç keni bërë deri me tani. Pse nuk folët sot për udhëzimin administrativ? Sepse sot që po flasim ne, nuk kemi as një vajzë që nuk vijon mësimin. Deputet Rrahmani vazhdimisht e keni keqpërdor këtë foltore për të thënë së vajzat nuk shkojnë në shkollë për shkak të mbulesës. Sot që po flasim sado që ju jeni munduar që të manipuloni me vajza në familje, nuk kemi asnjë vajzë që nuk vijon shkollimin. Dhe sot e çdo ditë si ministre e arsimit do të angazhohem maksimalisht që të ketë një edukim të plotë për secilin vajzë dhe djalë, për shoqërinë tonë. Andaj kurrikulat janë dokumente publike në faqen e MASHT-it dhe ne i kemi promovuar disa herë”, ka thënë ajo.