Përplasjet në Kuvend: Opozita akuzon kryesuesin Dehari për shkelje të Kushtetutës

Prishtinë | 29 Qer 2025 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është përcjellë me akuza për shkelje të Kushtetutës nga ana e opozitës, për shkak të insistimit të kryesuesit Avni Dehari që të procedohet me krijimin e komisionit ad-hoc për votim të fshehtë të Kryetarit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) , kërkuan nga Dehari që të mos vazhdojë me këtë pikë, duke e cilësuar atë si abuzim me procedurat dhe Kushtetutën.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kryesuesi po e shkel Kushtetutën me vetëdije.

“Sot me vetëdije e të plotë, kryesues po abuzon dhe po e shkel Kushtetutën. Ju lutem kthehuni në rendin e ditës. Kjo është shkelje, është abuzim,” deklaroi Çitaku.

Në linjë të njëjtë, reagoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke i bërë thirrje Deharit që t’i përmbahet rendin e ditës.

“I nderuar, kthehu në rendin e ditës për të cilin komisioni është pajtuar,” tha ajo.

Deputetja AAK, Time Kadrijaj, ka akuzuar partinë në pushtet për shkelje të Kushtetutës dhe për abuzim me procesin parlamentar.

“Abuzues dhe shkelës të Kushtetutës. Marre për juve, turp,” tha ajo.

Përballë refuzimit të partive opozitare për të propozuar anëtarë për komisionin ad-hoc, kryesuesi Avni Dehari kërkoi ndërprerjen e fjalës për deputetët që nuk sjellin propozime konkrete.

Të ngjashme