Përqindje e ulët e grave në tregun e punës, kërkohet ndërhyrje institucionale – Pushimi i lehonisë të vlejë për dy prindërit

| 13 Dhj 2022 | 18:33 | Nga

Pjesëmarrja e grave në tregun e punës vazhdon të jetë e ulët. Në tre mujorin e tretë të vitit 2021, vetëm 22.5 për qind e grave ishin pjesë e fuqisë punëtore në krahasim më 58.9 për qind burra. Ndërsa vetëm 17 për qind e grave janë të punësuar në 3 mujorin e tretë të vitit 2021, raporton Ekonomia Online.

Kështu u tha në Sallonin e së Martës me temën “Çfarë mundësish ofron tregu i punës për të rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave – Ku duhen bërë ndërhyrjet e menjëhershme?”, organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Aty u tha se vëmendja institucionale duhet të rritet, teksa u kërkuan lehtësira në krijimin e politikave të punësimit si dhe fuqizimin e grave në ekonomi.

Në këtë diskutim u fol për çështjen e pushimit të lehonisë, ku u kërkua që ndarja e pushimit të bëhet për të dy prindërit njësoj.

Gazetari Shaban Maxharraj tha se nga raportet dhe hulumtimet del se punësimi i grave dhe vajzave në Kosovë është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas tij nga raporti i publikuar nga D4D del që vetëm 17% e garve janë të punësuar në tre mujorin e tret të viti 2021.

“Raporti i D4D i publikuar muajin e kaluar tregohet se në tre mujorin e tretë të vitit 2021 vetëm 22.5 për qind e grave ishin pjesë e fuqisë punëtore në krahasim më 58.9 të homologëve të tyre burra. Pra vetëm 17 për qind e grave janë të punësuar në 3 mujorin e tretë të viti 2021” tha ai.

Drejtori i Zyrës së Kryeministrit për Planifikim Strategjik, Vedat Sagojeva, u shpreh se pjesëmarrja e grave në punësim është shumë e ulët më vend.

Por sipas tij Qeveria është e fokusuar në krijimin e politikave të punësimit si dhe fuqizimin e grave në ekonomi.

“Duke marr parasysh trendët na tregojnë se pjesëmarrja e grave është shumë e ulët. Kjo është prej dy aspekteve. Në një nivel pamundësia e grave për t’u kyçur. Janë dy grupe të fuqisë punëtore të grave që është dasht të trajtohet. E para grupmosha që janë fuqi punëtore e që nuk janë aktivizuar të cilat duhet të identifikohen dhe të aftësohen ato gra që nuk janë të kyçura në fuqinë punëtore. Të rejat e Kosovës janë të kyçura në trende, edhe për këtë duhet të behën politika të drejtpërdrejta. Në kuptimin e mundësive dhe çka po planifikohet nga qeveria, ka shumë zotime që me shty përpara me adresu papunësinë, siç thashë më herët që më të i kemi punët shumë keq. E veçanta tjetër është që është miratuar edhe skema e punësimit”, tha ai

Narona Ahmeti Daci, nga “The HeadHunter Group”, tha se të rinjtë sot kanë frikë që t’i qasen tregut të punës.

Ajo shtoi se të rinjtë mendojnë se pa kryerjen e shkollës së lartë ata nuk mund të punësohen, por që këtë e mohoi ajo. Sipas saj, ata mund të punësohen edhe me shkollë të mesme.

Ajo theksoi që të rinjtë duhet të kenë motiv për punë dhe se duhet që të motivohen nga vetë kompanitë.

“Pak a shumë e kam parë tregun dhe femrat janë në fuqizim e sipër, mendoj që mundemi me ba më shumë. Ne u japim rastin të gjithëve që të kenë qasje në treg. Të rinjtë kanë frikë që t’i qasen tregut. Vlen të ceket se fuqizimi i grave ne punësim është që të ketë fleksibilitet në punë, mendoj se nuk ka fleksibilitet në punë. Një gjë tjetër që duhet të cekët është edhe pushimi prindërorë, pra duhet të jetë edhe babain. Shembull 3 muaj nëna dhe 3 muaj babai, kjo duhet të bëhet me ligj. Zhvillimi në përgjithësi i të rinjve mund të bëhet shumë lehtë”, tha ajo.

E redaktori i Televizionit “ATV”, Zekirja Shabani, tha se burrat janë pengesa kryesore që sot gratë nuk punojnë.

“Prej vitit 2014 në Kosovë ka një ndryshim, kemi më shumë gra se sa burra. Nga të dhënat janë vetëm 14,1 % e grave që i kemi të punësuar. Po edukojmë po mundohemi për forcimin e gruas por prapë po dështojmë. Ne duhet të bëjmë strategji për punësim, shteti jonë ka mungesë të punëtorëve. Një prej defekteve më të mëdha është humbja e vullnetit për punë, kjo ka ardhur nga kriza pas luftës dhe ndihma që ka ardhur nga jashtë. Tekë në është investuar gjithçka dhe sot presim që të tjerët të kryejnë punët tona dhe as një herë nuk jemi te gatshëm që t’i kryejmë punët vetë”, tha Shabani.

Për pushimin e lehonisë, të pranishmit kërkuan që i njëjti të bëhet njësoj për dy prindërit. Sipas tyre, mungesa e pushimit të lehonisë, është arsye që prindërit i ndalon së punuari.

Me këtë rast, ata kërkuan që kjo çështje të rregullohet me ligj, dhe si i tillë të vlejë për dy prindërit.

Të ngjashme