Një gotë verë para gjumit mund t’ju bëjë të ndjeheni më të përgjumur, por kur është fjala për kualitetin e gjumit, mos u mbështetni në të.
Shkencëtarët kanë studiuar lidhjen mes përgjumësisë që vjen nga konsumimi i alkoolit dhe gjumit aktual qysh nga vitet 1930-ta.
“Nëse pini alkool para se të flini, kjo do t’ju bëjë të flini më shpejt dhe të bini në gjumë më të thellë, por pastaj trupi fillon ta metabolizoj alkoolin, e kjo nuk është gjë e mirë”, thotë Thomas Roth.
“Pra, gjumi juaj do të ndërpritet në mënyrë të tmerrshme”, ka shtuar ai.
Kjo ndikon edhe në përditshmëri sepse, siç tregon një studim i vitit 1991, të rriturit që kishin konsumuar alkool para shtrati – qoftë edhe një sasi shumë të vogël – kishin pasur më shumë vështirësi t’i kryejnë detyrat ditën e ardhshme.
Alkooli mund të jetë i mahnitshëm kur është fjala për të dalë me shoqëri dhe për t’u socializuar, por është ilaç i keq kur përdoret për gjumë.