Audiencat mashkullore kanë më shumë se ato femërore interesim për lajmet mbi aktualitetin në televizion. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se kjo kategori televizive, duke qenë e mbingopur me politikë ka një natyrë maskiliste dhe autoritare.
E gjitha kjo ka të bëjë jo me gjininë biologjike të moderatorëve ose spikerëve. Këta mund të jenë edhe femra, madje të bukura, madje elegante, madje shumë femërore dhe delikate në trup, mimikë dhe sjellje. Por, të gjitha këto karakteristika nuk ndryshojnë asgjë në atë që edicioni të ketë ose mos ketë natyrë maskiliste.
Kjo e fundit vjen jo vetëm nga natyra virile, e tensionuar, kërcënuese, përjashtuese e politikës si përmbajtje e lajmit televiziv mbi të, por edhe nga mënyra si formulohet lajmi, si direktivë burokratike, nga fjalët e ngurta që e shprehin atë, nga fakti se brenda tij nuk ka asnjë element nga kultura alternativiste, çdo gjë paraqitet si e paravendosur, e gjithë ditur, e për më tepër pa asnjë element dialogu, diakronie brenda strukturës të lajmit.
Gjithçka i bindet përmbajtjes të të folurit të spikerit, a thua se në realitet të gjithë mendojnë e shprehen brenda atij aksi, iu përgjigjen vetëm pyetjeve dhe dilemave të tekstit të lajmit si në hetuesi, prandaj edhe lajmi duket si deklaratë a njoftim funebër, sepse edhe në atë mënyrë lexohet nga një gojë që qëndron mbi një fytyrë që e mban kokën drejt, qafën e ngritë, trupin e ngritë si mumje mbi kolltuk, dhe sytë që nuk i ndahen një ekrani ku gjendet teksti që lexohet.
Feminizoni lajmet! Bërtet televizori im që nga frigoriferi ku kam e ndryrë duke i hedhur një thes mbi kokë!