Pas skandalit në të cilin është përfshirë mesfushori i Barcelonës i huazuar në Istanbul Basaksehir, Arda Turan, edhe mesfushori i sapo transferuar Arturo Vidal është dënuar me një gjobë prej 800 mijë euro.
Vidal është dënuar nga Gjykata e Munihut me një gjobë prej 800 mijë euro për shkak të një incidenti që kishte ndodhur para dy viteve, në një klub nate në Gjermani, transmeton Gazeta Express.
Kiliani, i cili në atë kohë ishte lojtar i Bayern Munichut, ishte në klubin e natës Crown, kur e goditi një person në kokë me një shishe vodka, dhe media gjermane TZ raporton se viktima kishte pësuar lëndime mjaft të rënda.
Vëllai i Vidalit, Sandrino, dhe njerku i tij, të cilët ishin të pranishëm gjatë kësaj përleshjeje, janë gjobitur gjithashtu me nga 20 mijë dhe 41 mijë euro. As Vidali dhe as të afërmit e tij nuk morën pjesë në procesin gjyqësor.
Në anën tjetër, Turan është duke kaluar nëpër një proces gjyqësor pas një përleshjeje me një këngëtar të njohur turk. Prokurorët turq kanë kërkuar që Turani të dënohet me 12 vite e gjysmë burg.