Dy persona të armatosur dyshohet se kanë grabitur disa kabllo rryme në termocentralin “Kosova A”, sot rreth orës 03:00.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, e ka konfirmuar rastin për Gazetën Express.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimi preliminar dyshohet që grabitja të jetë kryer nga dy të dyshuar të armatosur të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, ndërkaq dyshohet të jenë grabitur kabllo rryme vlera e të cilave ka mbetur të konfirmohet”.
Borovci gjithashtu ka thënë se aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.