“Personalitet të çrregulluar, ankth”, lirohet nga seanca Sheqiri në rastin e 400 kg drogë

Prishtinë | 30 Tet 2025 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Teksa po mbahet seanca ndaj të akuzurave Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Faton Vrajollit, Kadri Brahimit dhe Fehmi Bytyçit, për rastin e 400 kilogramë kokaine, i akuzuari Kadri Sheqiri është liruar nga salla për shkak të gjendjes shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Avokati i të akuzuarit Kadri Sheqiri pohoi se klienti i tij ka personalitet të çrregulluar, të shoqëruar me ankth.

“Keni parasysh paragrafin 5 mjekoligjor, për të cilin është konstatuar që aktualisht manifeston personalitet të çrregulluar, tip i përzier, shoqëruar me ankth të herëpashershëm. Para se të fillojë marrja në pyetje e të pandehurit, më lejoni të bëj një propozim i cili sipas mbrojtjes është me rëndësi të posaçme, sepse në shkresat e lëndës ju keni deklaratën e të pandehurit dhënë në polici, në të cilën ai para marrjes në pyetje është udhëzuar për të drejtën e tij fundamentale, se i pandehuri ka të drejtë të mos e fajësojë veten e tij. Në shkresat e provës keni katër deklarata, të cilat janë të Prokurorisë në rastin e marrjes në pyetje të mbrojturit tim. Në deklaratën e parë e keni konstatimin se ‘ju keni të drejtë të mos e fajësoni vetveten tuaj’. Por në deklaratat e datës 22.07.2021, 22.10.2021 dhe një tjetër datë, nuk do ta gjeni këtë udhëzim fundamental të së drejtës për mbrojtje të të pandehurit, prandaj propozoj që këto tri deklarata, tri prova, t’i shpallni të papranueshme. Pastaj do të vazhdojmë, ju lus që për shkak të gjendjes së tij…”, tha Maliqi.

Edhe vet Sheqiri tha se nuk është në gjendje të mirë.

“Po tybe s’jam kurrqysh. Nëse është e mundur të vazhdojnë këta tjerët sot” deklaroi i akuzuari Kadri Sheqiri

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni, njoftoi se para seancës është informuar për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Kadri Sheqiri, dhe kërkoi mendimin e palëve nëse mund të vazhdohet me marrjen në pyetje të tij.

Të ngjashme