Tre persona janë arrestuar në Gjilan për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Një tjetër është në arrati, ka thënë Policia e Kosovës.
Të dyshuarit kanë tentuar të bënin autorizim për shitje të një parcele në Mat të Prishtinës për 250 mijë euro. Policia i ka identifikuar dhe ka arritur t’i arrestojë tre prej tyre.
“Është raportuar se katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, kanë tentuar që me dokumente të falsifikuara të bëjnë një kontratë te noteri, autorizim për shitje të një parcele në vlerë rreth 250 mijë euro. Gjatë veprimeve hetimore është arritur të identifikohen dhe të arrestohen tre të dyshuarit dy meshkuj dhe një femër, ndërsa njëri gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.