Përfaqësuesit e shoqatës “Handikos”, janë shprehur të shqetësuar në lidhje me Ligjin që u kërkon personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë që të rivlerësohen nga komisionet, në mënyrë që të përfitojnë kompensime financiare, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Afrim Maliqi nga kjo shoqatë tha se është absurde të bëhet rivlerësimi i sëmundjeve që është e përhershme.
Ai tha se nga viti në vit, personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik po largohen nga lista e përfituesve.
“Ne e kemi ngrit si çështja për vite jo vetëm tash, ligjin i cili nënkupton kompensimin për persona Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë. Ligji ka filluar të zbatohet në vitin 2017, nga kjo kanë përfituar 3100 persona, në vitin e kaluar nga rivlerësimi ka rënë numri në 2500 persona, shtohet çështja se ku kanë mbetur ata persona. Ne si organizatë jemi në cilësi te vëzhguesit. Unë e kam ngrit çështjen që të vlerësohen drejtë të gjithë personat. Në as një vend nuk ndodh që të vlerësohet personi me aftësi të kufizuara”, tha ai.
Ai tha se shuma që marrin nga ky ligj është150 euro, e që sipas tij nuk është e mjaftueshme.
“Gjendja vetëm mund të përkeqësohet. Këto komisione dhe kjo ministri nuk po mundet që këto dy grupe që t’i rivlerësojë. Ne kemi kërkuar që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të përfshihen në një ligj. Jam tmerruar me atë gjendje në Komision”, tha ai.
E Elmi Fazliu nga kjo shoqatë, tha se ka kundërthënie ndërmjet dy komisioneve, pasi kërkohet që personat e njëjtë të kalojnë në dy komisione vlerësuese.
“Kur personat vlerësohen për kompensim financiar, kalojnë në dy komisione, në komisionin e parë vlerësohet nga 5 mjekë profesionist, mirëpo vlerësimi i komisionit të parë nuk vlen në Komisionin e dytë, pra ka kundërthënie ndërmjet dy Komisioneve. Problemi kryesor është që personat me karrocë ndahen në dy grupe. Ka pasur persona që kanë ikur nga Kosova duke mos pasur mundësi që të trajtohen në Kosovë. Po është shumë problem puna e komisioneve”, tha ai.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasfereve, Enis Spahiu tha se në këto Komisione ka problem serioze.
Ai tha se ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut nga këta persona.
“Problemi i komisioneve nuk është problem vetëm për këtë skemë por për të gjitha skemat. 30 mijë vlerësime për një vit i kanë bërë këto Komisione. Komisioni themelohet nga ministria e jonë, por anëtarët nuk janë punëtorë tanë. Prej konstatimeve tona janë dy probleme me komisionin e mjekëve, e para është cilësia e dobët e vlerësimit po ashtu edhe vendimet gjyqësore nga Gjykata”, tha ai.
por udhëheqja e Divizionit të Komisioneve Mjeksore në MFPT, Anita Vranjolli tha se vlerësimet e komisioneve janë profesionale por sipas saj problem është ligji. Për këtë, ajo kërkoi që të ndryshojë.
“Unë mendoj se komisioni vlerësuar është shumë profesional. Ai vlerësimin e bënë sipas ligjit, a është ligji i mirë jo nuk është. Ne këtu duhet të ngritim si çështje kryesore që të ndryshohet ligji” tha ajo.
Deputetja e VV-së, Labinote Demi-Murtezi, kritikoi ligjin që i kërkon rivlerësimin e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, pasi sipas sja këto janë sëmundje të përhershme.
“Kur je i pa lëvizshëm si ka mundësi që të ketë një rregullore që duhet që të vlerësojnë këta persona” tha ajo.
Ndryshim të ligjit e kërkoi edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, teksa kërkoi që anëtarët e këtyre komisioneve të ftohen për raportim.
Deputetja Eliza Hoxha, tha se rivlerësimi i tyre bëhet për disa minuta. Pati kritika edhe për mënyrën sesi i trajtojnë anëtarët e komisioneve këta persona dhe për vonesat e pagesave.
“Për mua është shumë e rëndësishme që nuk ka llogaridhënie të këtij komisioni. Duhet të ketë llogaridhënie. Ka ankesa që ka edhe vonesa për pagesa për këtë persona”, tha ajo.