Personi i parë në botë që mori vaksinën kundër koronavirusit Pfizer/BioNTech, mori të martën dozën e dytë.
Margaret Keenanit iu dha doza e dytë në një spital të qytetit Koventri të Mbretërisë së Bashkuar, tri javë pas dozës së parë.
Dy doza të vaksinës kërkohen për të arritur imunitetin e plotë.
Keenan e ka marrë dozën e parë më 8 dhjetor, një javë para ditëlindjes së saj të 91-të, dhe e ka përshkruar atë si “dhuratën më të mirë për ditëlindje”.
Shefi ekzekutiv i spitalit, Andy Hardy, tha se stafi është i lumtur që ka mirëpretur sërish zonjën Margaret.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin me Pfizer/BioNTech.
Pas saj kanë nisur edhe vende të tjera, si SHBA-ja dhe Kanadaja.
Vendet e Bashkimit Evropian kanë nisur më 27 dhjetor imunizimin.
Përparësi në vaksinim tash për tash kanë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.