Skitari i skijimit cross-country, Roberto Carcelen, e di se ëndrra e tij për t’u kthyer në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin, ndoshta nuk do të realizohet kurrë.
Realisht, do të jetë gati e pamundur për të që të kualifikohet. Por ai prapë do të tentojë këtë.
Dhe qëllimi nuk është të fitohet medalja, të thyhet rekordi personal apo për të rrëmbyer lavdinë olimpike. Ai kishte bërë histori nëntë vjet më parë kur u bë olimpisti i parë dimëror nga Peruja. Nëse, disi arrin të kualifikohet, në moshën 48-vjeçare, ai do të jetë sportisti më i vjetër që merr pjesë në skijimin cross-country në Lojërat Olimpike Dimërore.
Ai, po ashtu, do të jetë olimpisti i parë që garon e që është i prekur nga sëmundja e Parkinsonit.
Kjo nuk është hera e parë që misioni i Carcelenit është definuar nga sensi i vendosmërisë së hekurt para një vështirësie.
Në vitin 2014, ishte vetëm pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Sochi, kur ai theu disa brinjë gjatë stërvitjeve. Mjekët i thanë se për t’u shëruar, ai duhet të heqë dorë nga gara, që do të nënkuptonte të mos përfaqësonte Perunë në Lojërat Olimpike. Ai injoroi këshillat e mjekëve dhe vendosi të garonte.