Agjencia për Meteorologji e Kosovës ka përuruar dy laboratorët të cilët bëjnë matjen e shpejtësive të automjeteve ndryshe dhe alkool-testit te vozitësit, i quajtur “ Lidar”, raporton Ekonomia Online.
Për të parë nga afër këtë pajisje në ambiente të Meteorologjisë erdhi edhe ministri i MTI-së, Endrit Shala e Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Zyrtarja për Meteorologji, Drita Hamiti, ka prezantuar para medieve pajisjen e re e cila do të jetë funksionale për këtë dikaster.
E, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se me këto pajisje do të mundësohet që të kryhen punët sa më lehtë.
“Sot me kënaqësi kemi ardh të shohim fillimin e punës të alkool testeve apo Lidarve. Këtë shërbim deri më tani institucionet është dashur ta shfrytëzojnë nga të tjerët, secila alkool matje edhe e shpejtësisë të jenë të sigurta në vlerat që ato japin. Kjo është një përfundim i atyre punëve, përkushtimit tonë që të jemi zëri i popullit të jemi në mbrojte të konsumatorit tonë”, tha Shala.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se deri tash Policia e Kosovës matjen e alkoolit dhe shpejtësisë e kanë bërë me pajisje private.
“Policia e Kosovës është duke e bërë të pamundurën për siguri. Pos angazhimeve ne përdorim pajisje të ndryshme. Këto pajisje për matjen e shpejtësisë së alkoolit, ne edhe te kaluarën edhe sot jemi duke punuar me pajisje të kalibruar, por që kemi përdorur pajisje private, policia është institucion shtetëror dhe është shumë më logjike t’i bëjmë vetë “, tha Qalaj, raporton EO.
Kryeshefi i Agjencisë për Meteorologji, Ferki Fejza, tha se këto pajisje do t’ i ndihmojnë në punën e tyre.
“I falënderoj për këto pajisje që do të na ndihmojnë. Kjo rrit besueshmërinë e matjes dhe do të na ndihmojnë”, tha ai, raporton EO.