Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me Drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, kanë bërë përurimin e shkallëve te Posta në lagjen “Dardania”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Rama tha se në këtë projekt është bërë punë e hatashme, mirëpo se punimet nuk kanë përfundur ende.
Ai tha se në këtë pjesë do të ndërtohet edhe një lift, të cilit i është ndërtuar baza por për shkak të proceseve të prokurorimit është vonuar përzgjedhja e operatorit.
Rama tha se gjatë inspektimit të punimeve ka parë edhe disa detaje që duhet të ndryshohen, pasi sipas tij, më në kryeqytet nuk ka punë shkel e shko.
“Këtu faktikisht punimet që janë bërë është bërë një punë që nuk është bërë ndoshta më dekada të tëra. Këtu kanë qenë shkallë të lëna mas në aspektin e pronësisë, në aspektin e sigurisë. Pas një periudhe shumë të gjatë ne kemi intervenuar këtu. Nuk janë të përfunduar të gjitha punët, e kemi edhe liftin i cili baza është bërë por për shkak të proceseve burokratike të prokurorimit, për fat të mirë tash është zgjedhur kjo çështje dhe kemi operatorin. Shpresoj që nuk do të vonojë shumë brenda dy tre muajsh do të kryhet edhe pjesa e liftit. I pashë një numër të madh të detajeve që duhet të përmirësohet, është me rëndësi të madhe që edhe operatorët ekonomik që bashkëpunojmë se bashku me kryeqytetin me e ditë që duhet të merren punët shumë seriozisht të mos jenë shkel e shko, të shikohen të gjitha detajet”.
“Deri tash kemi pasur specifika edhe të gabuara për shembull të materialeve të cilat kanë qenë për interiere e janë përdorur edhe ne eksterier, kjo më nuk do të ndodhë. Po e shihni që ndryshimi është i hatashëm prej çka ka pas edhe çka ka me pas tash e tutje”, tha ai.