Sot është bërë përurimi kushtuar 17 martirëve nga fshati Guri i Kuq të rënë më 31 mars të vitit 1999.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Jemi mbledhur sot, në oborrin e shkollës fillore në fshatin Guri i Kuq, mu në Ditën e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë, të shpalosim një lapidar në kujtim të jetës dhe veprës së shtatëmbëdhjetë martirëve nga fshati Guri i Kuq, lapidar ky i cili na dëshmon neve dhe brezave pas nesh, se liria i ka rrënjët në gjak, atë kemi detyrim ta ruajmë, forcojmë, zgjerojmë e përparojmë, sepse, çmimin e lirisë e kanë paguar njerëzit e këtij vendi, me gjakun dhe jetën e tyre – dëshmorët dhe martirët”.
“Pushtuesi serb ka bërë krime dhe masakra të tmerrshme në këto troje, vetëm pse ishim shqiptarë dhe kishim të drejtë për lirinë tonë të shkelur nga Serbia”.
Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të tij:
Krimet e shtetit serb janë të rënda dhe kurrë nuk plaken. Serbia zgjodhi mjetet më çnjerëzore për të vrarë: pleq, gra, të rinj e të reja, fëmijë e foshnje-nuk la mjet pa e përdorur për të ç’farosur shqiptarët nga trojet e veta. Dogji shtëpi e bagëti, vodhi e plaçkiti, dëboi e torturoi shqiptarët e paarmatosur.
Në Pastasel u masakruan 106, e vetëm nga Guri i Kuq, nga Serbia dhe aparati i saj policor dhe ushtarak u vranë: shtatëmbëdhjetë(17) martirë, andaj këta emra të skalitur në këtë plllakë-lapidar janë historia më e re e përgjakshme e këtij populli.
Ne kemi detyrim njerëzor e moral dhe që të mirëmbajmë e kultivojmë këto vlera, t’i ruajmë këto përmendore dhe të marrim mësim nga veprat e të rënëve për liri.
Si njeri, si shqiptar dhe kryetar komune, po në këtë frymë jam i përkushtuar që të nderojmë kujtimin e tyre, duke punuar me nder e përgjegjësi për të korrur sa më shumë suksese të cilat i kontribuojnë popullit dhe vendit tonë.
Ju bëj thirrje të punojmë sa më shumë e të jemi bashkë, të vazhdojmë rrugëtimin përpara, duke e mbajtur çdo ditë gjallë kujtimin për të rënët. T’i ruajmë e të kujdesemi për mirëmbajtjen e lapidarëve, t’i kujtojmë e nderojmë dëshmorët dhe martirët, është detyrë e secilit nga ne, njëkohësisht, prej nesh kërkohet t’i japim jetë, fuqi, zhvillim dhe përparim atdheut tonë.
Projekti i lapidarit është realizuar në bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe banorëve të fshatit.