Përurohet libri i ish-presidentit Sejdiu, “Ora e Kosovës – pavarësia dhe shtetndërtimi”

Prishtinë | 14 Shk 2024 | 14:48 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është promovuar libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” me autor ish-presidentin Fatmir Sejdiu, raporton Ekonomia Online.

Ky libër trajton angazhimin e ish-presidentit Sejdiu në etapa të ndryshme historike si dhe rrugëtimin e Kosovës që nga kohërat e vështira në përpjekjet për liri si dhe gjatë fazës së shtetndërtimit.

E presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila dikur kishte punuar me ish-presidentin Sejdiu, tha se ka pasur fat të jetë bashkëpunëtore e një pjese të historisë.

Ajo tha se bëhet fjalë për rikapitullimin e rrugës se kurorëzuar më 17 shkurt të vitit 2008, në kohën kur ishte “ora e Kosovës”, ashtu siç edhe e mban titullin libri.

“Secili e ka orën e vet. Ne e kishim më 17 shkurt, andaj me të drejtë ia ka vënë titullin librit, që është një kapitull i ri i vendit tonë. Presidenti Sejdiu paraqitet një kronist i rëndësishëm i vendit, sjell momente autentike që prej fillimit të vendit, shpalljen e Pavarësisë, zhvillimet ndërkombëtare etj. Është dëshmi e një populli që rezistoi, luftoi, siç thotë presidenti Sejdiu: ‘Një shtet i ri u lind edhe me ndihmën e presidentit Ibrahim Rugova’. Miqësinë e hershme me Amerikën e kemi testament të rrënjosur në zemrat e shqiptarëve, roli evident është kryesor”, u shpreh Osmani.

E ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i cili tha se kjo vepër nuk është thjeshtë një botim. Ai kujtoi kohën kur para shpalljes së Pavarësisë ishte pyetur nga një gazetar nëse është “lajmëtar i Pavarësisë”.

“E shoh se është një vepër shkencore që legjitimon mikun, qytetarin, politikanin dhe pjesëmarrësin e një etape të jashtëzakonshme për shqiptarët. Gjatë një vizitë të bërë në Kosovë tri javë para pavarësisë, interes të madh kishte nga gazetarët. Nuk iu shpëtova një pyetje ‘provokative’. Një nga gazetarët më beri pyetjen, ‘me këtë atmosferë mos jeni ju lajmëtar i Pavarësisë’. I thashë jam i ftuar i presidentit Sejdiu”, deklaroi ai.

Ndërkaq Ibrahim Berisha, redaktor i librit, tregoi një histori të një nëne e cila kthej nga burgu e që kishte një fëmijë që dikur do ishte president.

“Presidenti Sejdiu nuk pati fatin ta njoh asnjëherë babin e tij që ishte i burgosur, po i përmendi si shembuj se fatin e ngjashëm e kishim thuajse të gjithë, por nuk u zbeh qëllimi për liri”, tha ai.

Berisha tha se libri ka 435 faqe, duke gërshetuar analizë të dokumenteve elementare, dokumenteve autentike.

“Ka shumë takime që shpalosen për herë të parë, me mbretër, ministra etj. por do ta veçoja kontributin e shquar ndërkombëtar, pa dyshim diplomati finlandez Marti Ahtisari është kyç i gjetjeve që pasuan shtetin më të ri në Evropë”, u shpreh ai.

Sipas tij, kontributi i librit, thelohet në procese që ofron literaturë të pastër dhe se pavarësia e Kosovës nuk ishte e imponuar nga askush, por siç thotë pas një lëvizje aktive dhe lufte unike çlirimtare.

Ndërkaq vetë autori i librit, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, tha se do përmend një fjali të Rykerit i cili kishte nxjerr një libër, edhe pse ishim në dy drejtime kishim një qëllim, Kosovën e lirë dhe sovrane.

“Nuk ka qenë e lehtë të përmbledh librin, dhe jam përpjekur të bëj më të mirën. Kam filluar më ngjarjet e bujshme, dhunën e terrorit ndaj qytetarëve të Kosovës, dramat e mëdha në ngjarjet si Prekazi e pjesë tjera të Kosovës. Unë personalisht dhe populli i Kosovës kemi ndjerë dhimbje të shkuarjes në amshim të presidentit Rugova, atë që nisi rrugën e pavarësisë”, deklaroi ish-presidenti.

Të ngjashme