Përurohet nënstacioni policor në Leposaviq, Kurti: Kushtet e mira të punës reflektohen në shërbime

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Pas pjesëmarrjes në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën, vizitoi komunën e Leposaviqit me rastin e përurimit të renovimeve në nënstacionit policor, në fshatin Soqanicë të komunës së Leposaviqit.

Ai tha se “me qëllim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët pa dallim” përurimi i këtij nënstacioni policor është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë.

“Këtu në Soqanicë të Leposaviqit, me rastin e përurimit nëpërmjet prerjes së shiritit të kuq të nënstacionit policor, të një renovimi aq thelbësor sa që do të mund të thosha rindërtim të kësaj godine e cila i ka tash kushtet e mira e të dinjitetshme për punën e Policisë tonë. Dikur ka qenë vetëm një dhomë në kushte të mjerueshme, tash janë tri dhoma, dy banjo në 75 metra katrorë dhe kur ka këso kushte kaq të mira për policinë sigurisht që kjo reflektohet drejtpërsëdrejti edhe në cilësinë e shërbimeve që jepen për qytetarët pa dallim. Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni”.

Kurti aty pati edhe disa falënderime.

“Falënderoj si ministrin, Kryetarin e Komunës dhe Drejtorin e Policisë, po ashtu edhe operatorin ekonomik, punëkryesin i cili e ka përfunduar para afatit këtë riparim, renovim apo më saktë ta quajmë rindërtim me një investim të gjithmbarshëm prej 46 mijë e 400 euro. Sot është një ditë e mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen. Paradite Policisë sonë iu bashkëngjiten edhe 448 kadetë, ndërkaq tash këtu në mesditë po e bëjmë përurimin e këtij nënstacioni policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë”.

Të ngjashme