Është përuruar objekti për banim social për 17 familje në Stan Tërg të Mitrovicës. Në këtë përurim kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Me këtë rast u tha se pas dy javësh objekti do të jetë i gatshëm për familjet përfituese. Kryeparlamentari, Veseli, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse familjet kanë nevojë për strehim. Ai shtoi se nuk duhet të lejohet që familjet të jetojnë në kushte të vështira.
Veseli u premtoi familjeve që potencialisht mund të jenë përfituese se 50 për qind të kuzhinave do të ua mobilojë ai përmes donatorëve, ndërsa pjesën tjetër përmes institucioneve.
“Është projekt jashtëzakonisht me rëndësi për këto familje, sepse me të vërtetë kanë nevojë. Nuk guxojmë të lejojmë që familjet tona të jetojnë në kusht të cilat nuk janë të dinjitetshme. Jemi në një ambient i cili është shumë krenar për historinë e vet, ka dhanë shumë heronj e dëshmorë, rreth këtyre maleve ka beteja të lavdishme të luftëtarëve të lirisë, me të madhin Isë Boletin pastaj me UÇK-në”.
“Këta fëmijë meritojnë të ardhme më të mirë. Liria jonë është e shenjtë, shteti ynë është i shenjtë dhe duhet të punojmë që juve fëmijë tu lëmë një shtet i cili është sovran dhe i zhvilluar. Familjet që do ti gëzojnë këto shtëpi. Nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët e drejta e qytetarëve. Kjo nënë toka e këtij vendi i ka dhënë fuqi shtetit. Ua jap fjalën familjeve që 50 për qind do tua mobilojë kuzhinat, me donatorë. 50 për qind do t’i sigurojmë ne institucionet”.
Ministri Reçica tha se do të vazhdojnë me projekte të tilla dhe i zotua se brenda këtij mandati s’do të lejojnë të ketë familje pa kulm mbi kokë.
“Jam i lumtur dhe krenar që jam këtu. Jemi në vendin ku zërat për liri e pavarësi sa vinin e fuqizoheshin. Po kthemi ne Stan Tërg me një projekt të ministrie. 17 familje që s’kanë pasur strehë mbi kokë. Urime 10-vjetori i Republikës, i gëzofshi banesat. Do të vazhdojmë me projekte të tilla. Zotohem që brenda këtij mandati s’do të lejojmë familje pa strehë mbi kokë”
Ndërsa kryetari i Mitrovicë, Agim Bahtiri, tha se është zgjedhur komisioni që do të zgjedh familjet të cilat do të përfitojnë.
“Jam i lumtur për këtë ndërtesë. Ne i falënderojmë institucionet. Ne kemi përzgjedhur komisionin verifikues për ti ndarë banesat, ata që i përmbushin kriteret. Brenda dy jave përfituesit do t’i marrin çelësat. Ka shumë kërkesa nga familjet por do t’i trajtojmë ato qe janë më të rrezikuara”
Disa banorë që jetojnë në Qendrën Kolektive kishin dalë për të parë përurimin e objektit, u shprehën optimistë se do të jenë përfitues.
Vlera e këtij projekti ka qenë 294 mijë euro, i cili është financuar nga ministria, ndërsa komuna ka ndarë parcelën e tokës për ndërtimin e objektit. Ndërtimi i objektit ka filluar në vitin 2016.
Më herët gjatë ditës ministri Reçica dhe kryetari Bahtiri kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për këtë objekt.
Përmes kësaj marrëveshjeje MPMS-ja objektin ia kalon në pronësi komunës së Mitrovicës, e cila pastaj përmes komision që tha se është formuar do të bëjë përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë.