Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka marrë pjesë në përurimin e objektit të Qendrës Rinore në Vushtrri.
Ai tha se ky investim është një ndër investimet më të rëndësishme nga departamenti i rinisë.
Gashi në Vushtrri tha se do të investojnë edhe në projekte të tjera.
“Do të jetë vatër, shtëpi, qendër, objekt, institucion i të rinjve dhe të rejave.
“Ne si ministri kemi investu 250 mijë euro për këtë objekt, i cili po ashtu është një prej investimeve më të rëndësishme në kuadër të departamentit të rinisë, për shkak se kemi pas mundësi, dhe të rinjtë tanë me shumë ide kreativitet, e angazhim të madh po e mbajnë të gjallë frymën rinore në Kosovë e veçanërisht në Vushtrri”.
“Ky nuk do të jetë objekti i vetëm. Në Vushtrri jemi duke investu edhe në projekte të tjera”.
Më tutje Ministri Gashi shpalosi edhe planin e ministrisë për krijimin e një fondi për të rinjtë, i cili sipas tij do t’i ndihmojë të rinjve në realizimin e projekteve të reja.
“Për herë të parë në vitin 2019 do ta fillojmë një program të madh për të rinj e quajtur Fondi Rinor, e kostoja do të jetë e madhe, dhe ka për qëllim mbështetjen e të gjithëve, të rinjve, e veçanërisht të rinjve ndërmarrës”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ky objekt do të jetë shtëpia e të rinjve vushtrrias.
“Kjo është shtëpia e të rinjve të Vushtrrisë. Do të jetë një objekt që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve. Nga sot të rinjtë e Vushtrrisë kanë shtëpinë e tyre, kanë adresën e tyre”.
Kryetar i Kuvendit të Rinjve të Vushtrrisë, Leutrim Latifi, tha se përurimi i kësaj qendre do t’ju lehtësoj të rinjve që të merren me aktivitete të ndryshme.
Ai tha se të rinjtë në Vushtrri kanë projekte të shumta për të realizuar dhe kjo qendër do të iu krijojë atyre hapësirë për to.