Përurohet objekti i ri i Gjykatës në Gjakovë, Kurti: Shtyllë e rëndësishme e drejtësisë

Gjakovë | 16 Gus 2024 | 11:05 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë prerë shiritin për përurimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë, me ç’rast Kurti ka thënë se kjo gjykatë do të jetë shtyllë e rëndësishme e drejtësisë jo vetëm në këtë qytet, por në tërë Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Ndërtesa e re e 31 gjyqtarëve, siç tha kryeministri, do të shënojë një besim të ri në gjyqësorin e Kosovës nëpërmjet efikasitetit, integritetit dhe kushteve të mira fizike të punës, derisa qytetarët e Gjakovës do të kenë vendin për të drejtat e tyre dhe për drejtësinë për rastet e ndodhura.

“Ndodhemi këtu në hollin pranues të ndërtesës së re të Gjykatës Themelore të Gjakovës, e cila i ka edhe dy degë, në Rahovec dhe në Malishevë. Është shtëpi për gjithsej 31 gjyqtarë, prej të cilëve 18 janë këtu në Gjakovë dhe ndodhet në të njëjtën rrugë në të cilën është edhe Policia edhe Prokuroria, duke paraqitur kështu një shtyllë tejet të rëndësishme e të vlefshme të shtetit të së drejtës dhe shtetndërtimit demokratik të Republikës së Kosovës. Bashkë me ministren e Drejtësisë u mirëpritëm nga kryetari Nikollë Komani, i cili me këtë rast na paraqiti hapësirat e reja, të cilat janë të lidhura me ngrohtoren e qytetit; pastaj kanë klimatizim qendror dhe, ku secili prej 18 gjyqtarëve e ka zyrën e vet të veçantë, ndërkaq dy bashkëpunëtorë profesionistë, e kanë një zyrë”, tha Kurti.

Në deklarimin e tij, Kurti tregoi se për të jetësuar këtë kërkesë të kamotshme të punonjësve të Gjykatës dhe qytetarëve të Gjakovës, ka pasur angazhim maksimal gjatë tri viteve të fundit për t’i përmbyllur punimet e nisura që nga viti 2015. Ndërsa, në këtë ndërtesë u investuan afër dy milionë euro.

“Kjo ndërtesë ka nisur në vitin 2015, mirëpo është zvarritur tepër gjatë. Në këto tri vite kemi punuar me shumë zell, me investime afër dy milionë euro dhe ja e përuruam më në fund këtë ndërtesë që shënon një epokë të re për drejtësinë në rajonin e Gjakovës dhe sigurisht që u themi punë të mbarë e gëzuar gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesionist, stafit këtu në përgjithësi në Gjykatën Themelore të Gjakovës dhe të gjithë qytetarëve. Unë e falënderoj edhe një herë kryetarin Nikollë për këtë mikpritje dhe për këtë paraqitje me kaq shumë përkushtim të këtij objekti të ri ku sigurisht që do të bëhen punë edhe më të mëdha, edhe më të mira për të mirën e të mbarën e qytetarëve”, u shpreh Kurti.

Të ngjashme