Ferizajt iu shtua edhe një hapësirë pushuese e rekreative. Është projekti për rregullimin e parkut dhe këndit të lojërave në Talinoc të Muhaxherëve që u mbështet nga Komuna e Ferizajt, Ambasada e Norvegjisë, OSBE dhe Stacioni Policor në Ferizaj, që sot u përurua nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Banorët e Talinocit të Muhaxherëve tashmë kanë një vend më të bukur, një hapësirë më funksionale e një model sesi duhet të veprohet edhe në hapësira tjera anekënd territorit të Ferizajt, për ta shndërruar një hapësirë të papërdorshme në një pikë rekreative e park për qytetarët. Investimet e kësaj natyre, me ndikim të drejtpërdrejt në mjedis dhe në mentalitetin e shfrytëzimit të hapësirëave publike, janë të domosdoshme, andaj edhe qeverisja lokale në fokus të platformës qeverisëse ka investimet e tilla.
Kjo nismë e ndërmarr nga kryesuesi i Këshillit Lokal për Siguri Publike, Arlind Avdyli në koordinim me këshillin e fshatit, përfshinë një hapësirë të rregulluar tërësisht me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Drunjtë dekorativ, shportat, këndet e pushimit dhe infrastruktura përcjellëse tashmë janë vendosur në këtë rrip territori të Talinocit të Muhaxherëve.
Të domosdoshme e me ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve e quajti këtë investim edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Ai tha se nismat si kjo gjithmonë do të kenë mbështetjen e Komunës dhe se synimi është që veprime e praktika të tilla të përsëriten edhe në vendlokacione të tjera në gjithë territorin e Ferizajt. Ai tutje shtoi se qeverisja e tij, ndryshe nga e kaluara e qeverisjeve lokale, ka plan konkret e një varg aktivitetesh të realizuara në dobi të mjedisit që natyrshëm paraqesin pasuri për qytetarët e kujdes institucional për mjedisin.