Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, është mbajtur ceremonia e hapjes së “Pavijonit D” – për persona me nevoja të veçanta, në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, Jeffry M. Hovenier; ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në fjalën e tij, ambasadori Hovenier tha se ky është një prej njësiteve të para për personat me nevoja të veçanta në rajon.
“Programi për pavijonin për persona me nevoja të veçanta është jetësuar gjatë një trajnimi që kanë marrë pjesë zyrtarët e shërbimit korrektues dhe i cili është sponzorizuar nga Ambasada e SHBA. Meqë ky është programi i parë i kësaj natyre në rajon, Kosova po tregon qartazi së është shumë serioze në përmirësimin e programeve të veta korrektuese”, tha Hovenier.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, para të pranishmëve deklaroi ky proces nga Këshilli i Evropës promovohet si shembull i mirë i funksionimit për të inkurajuar vendet tjera për të bërë të njëjtin veprim në dobi të trajtimit ekuivalent të të burgosurve sikurse të gjithë qytetarëve të tjerë pa ndikim dhe stigmatizime.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu deklaroi se të gjithë njerëzit pa dallim, edha ata të cilëve për një kohë u është hequr liria kanë të drejtën e kujdesit shëndetësor, e drejtë e cila jo vetëm së nuk mund të mohohet por edhe duhet sigurohet e garantohet me çdo kusht.
Ky projekt është realizuar me bashkëpunimin mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane. Me anë të këtij projekti është bërë transferimi i shërbimeve shëndetësore për të burgosurit nga Ministria e Drejtësisë tek Ministria e Shëndetësisë, për të ofruar shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit.
Vlera e këtij projekti është rreth gjysmë milioni euro, ndërsa si staf janë shtuar 30 oficerë të rinj dhe 14 pozita për profesionistë shëndetësorë.