Në lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë u përurua Qendra e re e Autizmit dhe Sindromës Down, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha ekzekutive, Sebahate Beqiri, tha se ky 21 mars është më ndryshe për shkak që iu mundëson fëmijëve me Down Syndrom të lëvizin në hapësira të reja.
“Ky 21 mars është 21 marsi që ne e kemi pritur më së miri sepse sot falë komunës së Prishtinës ne do lëvizim në hapësira të reja. Në emër të fëmijëve që marrin shërbime në qendrën tonë në Prishtinë ju falënderojmë dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë që keni bërë për neve”, tha Beqiri.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, njoftoi se ky objekt do të jetë i përkohshëm pasi që i përhershmi do ndërtohet vitin e ardhshëm në afërsi të Stacionit të Autobusëve.
“Jam i lumtur që sot kam nderin të iu përgëzoj për këtë objekt të ri. Shpresoj që ky objekt do i ofrojë të gjitha kushtet për këta fëmijë pasi që një qendër tjetër do ndërtojmë edhe në afërsi të Stacionit të Autobusëve”, tha Pacolli.
Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, tha se këta fëmijë nuk do kenë nevojë të paguajnë për qëndrimin e tyre në objektin e ri deri sa të bëhet zgjidhja e objektit tjetër që sipas tij do jetë i gatshëm vitin e ardhshëm.
“Ju shpreh keqardhje në emër të shtetit që këto shërbime i kanë lënë në neglizhencë. Pranojeni këtë si një zgjidhje të përkohshme deri sa të bëhet edhe zgjidhja në objektin e ri. Në kushte normale shteti është dashur t’i kryej këto obligime. Këtë hapësirë do ta shfrytëzoni pa pagesë deri në zgjidhjen e radhës”, tha Kukaj, raporton EO.
Ndërsa u.d së kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxha, tha se aprovimi i kërkesës për zhvendosjen e qendrës së Down Syndrom Kosova është vendosur nga Komisioni Komunal i Aksionarëve.
“NPB së bashku me Komisionin Komunal të Aksionarëve kemi marrë vendim që të aprovohet kërkesa e shoqatës Down Sindrom dhe këto hapësira të i shërbejnë kësaj shoqate. NPB ofron objekte të tilla edhe për kategori të tjera dhe nga tash e tutje fatura për të gjitha këto kategori do jetë zero”, tha Hoxha.
Kjo qendër do të ofrojë infrastrukturën dhe shërbimet për fëmijët dhe individët me sindromën Down e Autizëm, e që kanë nevojë për mbështetje dhe trajtim të specializuar, për të zhvilluar potencialin e tyre maksimal drejt një jetë të shëndetshme, pavarur dhe gjithëpërfshirëse.
Ndërtimi i kësaj qendre u mundësua me bashkëfinancim nga Komuna e Prishtinës, Agjensioni “TIKA”, Shoqata “Autizmi” dhe “Down Syndrome Kosova”.