Përurohet shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Prizren, Kurti: Shërbimi i ri do të ndihmojë që të shpëtojë jetë

Prishtinë | 14 Qer 2024 | 10:24 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit të premten është përuruar shërbimi i Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit, raporton Ekonomia Online.

Shërbimi i cili fillon nga sot dhe që u cilësua jetik nga kryeministri Albin Kurti, u funksionalizua nga bashkëpunimi i Qeverisë së Luksemburgut e cila ka ndarë 2 milionë euro, dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht ShSKUK-së me investim që kap vlerën rreth 1 milion euro.

Kryeministri Kurti, ka thënë se në vitin 2023 kanë pasur përfomancë rekorde të ndërhyrjeve.

“Në vitin 2023 kemi pasus performancë rekorde. Kemi pasur në shërbimin tonë të Kardiologjisë mbi 4,100 procedura të kryera, përfshirë këtu 2,500 vendosje të stendave. Ndërkaq, 4 vjet më parë, në vitin 2019, ishin 3,300 procedura dhe mbi 1,700 vendosje të stendave. Zgjerimi i këtij shërbimi që po e bëjmë sot është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve, por edhe para kësaj, edhe më shumë se kaq, meqenëse suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes. Tash shërbimi i ri do të mbulojë të gjithë rajonin e Prizrenit, do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes. Fillimisht, shërbimi do të trajtojë pacientët nga lista e pritjes së rajonit të Prizrenit, ndërkaq rastet akute do të trajtohen menjëherë. Shërbimi do të fillojë sot në bashkëpunim me kardiologët nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës”.

“Ajo çfarë presim të jenë rezultatet është reduktimi i kohës së pritjes për pacientet në rajonin e Prizrenit, e koha e pritjes në këto raste është ekzistenciale, është jetike për pacientët. Mandej, qytetarët do të kenë qasje në shërbime me cilësi të lartë e me kosto minimale dhe shërbimi ta ulë shkallën e vdekshmërisë në rajonin e Prizrenit”, ka thënë Kurti.

Kurse, ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, ka thënë se shteti i tij pothuajse e ka mbështetur sektorin shëndetëso të Kosovës dy dekada dhe kontribuoi në ndryshime thelbësore në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

Drejtoresha e Spitalit të Prizrenit, Narqize Aliu, tha se ky shërbim do të ofrojë mundësi për të shpëtuar jetë.

“Dita e sotme është një ngjarje me rëndësi të veçant për të gjithë ne. Ky shërbim na ofron mundësi që të shpëtojmë jete. Reagimi adekuat dhe i shpejt është i rëndësishme në emergjcat kardiake. Pa ndihem dhe përkrahjen e juaj nuk do të ishim këtu. Besojm që kjo punë dhe tërë përkushtimi yt për ngritjen e cilësisë në spitale është prezentë”, tha ajo.

Të ngjashme