Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MTI), Pal Lekaj, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, kanë përuruar shiritin rrugor shtesë në pikën doganore në Morinë, kufiri Kosovë-Shqipëri.
Nga pika kufitare Vermicë-Morinë ministri Lekaj tha se ky projekt është kryer në kohë rekorde, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ky shirit shtesë do të ndihmojë qarkullimin edhe më të lirë e të shpejtë të njerëzve dhe mallrave nga të dyja anët e kufirit.
“Sot jemi në përurimin e kësaj traseje që ka ndikim në qasjen e qytetarëve më të lehtë e sidomos transportuesve të rëndë siç janë autobusët dhe kamionët”.
“Për mua si ministër dhe si qeveri jam i kënaqur që këtë projekt sa do e vogël që është e kemi kryer me kohë rekord duke i falënderuar kërkesës së ambasadorit së Shqipërisë me detyrë në Prishtinë dhe mendoj se projektet të tilla ndikojnë dukshëm në relacionet mes të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Lekaj.
I pari i Infrastrukturës, tha se ky projekt është kryer pa fonde shtesë.
“Ajo që vlen të theksohet është se ne e kemi bërë këtë projekt pa fonde shtesë por me kompanitë e mirëmbajtjes në këtë rast i falënderoj e ata për kryerjen e punës”, u shpreh Lekaj.
Kur u pyet për eliminimin e kufirit me Shqipërinë, Lekaj tha se kufiri ndërmjet të dy vendeve po zbehet.
“Sa i përket marrëveshjeve të dy qeverive që do të bie kufiri unë mendoj se kufiri ka ra në vitin 98-99 dhe ne po punojmë që këta kufij të zbehen sa më parë dhe nëse nuk shkojmë me shpejtësi prej 120 km/h, së paku të shkojmë 60 km/h”.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se po angazhohen që të zbehen barrierat ndërmjet të dy shteteve.
“Ne jemi të angazhuar sa më tepër që këto barriera të zbehen që do të shkojnë drejt heqjes. Jemi në prag të fillimit të sezonit veror edhe ende është maji dhe ka kolona të gjata”.
“Është ditë vikendi, natyrisht ka një fluks shumë të madh, por në ditët në vijim do të punojmë edhe për këtë”.
Minxhozi shtoi se ky projekt duhet të bëhet moto që gjërat që duhet të bëhen, të bëhen shpejtë.
“Faleminderit për kontributin një projekt i mbajtur zvarrë nga të dy anët arrin të bëhet dhe kjo duhet të bëhet moto që gjërat që duhen të bëhen shpejtë nuk duhet të zvarriten dhe mendoj që kjo do të shtoj fluksin e makinerive të rënda që vijnë nga të dy anët, që eksportojnë dhe importojnë në të dy anët e kufirit”.
“…duhet të bëjë nxitje për të bërë përmirësime edhe në të tjera në kufirin Morinë dhe Vermicë në mënyrë që mjetet e rënda të kenë një lidhshmëri më të madhe”, deklaroi Minxhozi.