Përurohet shkolla e re në Llazicë të Malishevës, Limaj kërkon përkushtim nga mësimdhënësit

Malishevë | 02 Nën 2018 | 11:58 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është përuruar objekti i ri i shkollës “Gjergj Kastrioti” në Llazicë të komunës së Malishevës. Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se investimi më i mirë  është ai në shkolla, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se duhet punuar që fëmijët të kenë kushte optimale për mësim, madje ka kërkuar mësimdhënësit që të mos heqin dorë nga dashuria për atdheun dhe të përkushtohen në punën që bëjnë.

“Për të siguruar një të ardhme të mirë për Kosovën,  investimi është këtu ku jemi sot. Ne duhet të punojmë që fëmijët të kenë kushte optimale për mësim. Po ndihem mirë që jemi në fshatin e dhjetëra veteranëve. Kjo shkollë le të na ndihmoj sot për të dërguar fëmijët tanë në edukim e dije. Apeli im për mësimdhënësit është që të mos heqin dorë nga dashuria për atdheun”, ka thënë Limaj.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se ministria që ai udhëheq është e gatshme ta modernizojë arsimin dhe të krijojnë kushte të mira për nxënësit.

“Unë ju uroj nga zemra të gjithë fëmijëve të kësaj ane për përurimin e kësaj shkolle. Komuna e Malishevës ka ditë ti ndajë prioritetet sipas kësaj shkolle. Ne po tentojmë që arsimi të jetë prioritet i tërë Kosovës. Ne bashkë me DKA-në kemi bërë qe shkolla jo vetëm të ndërtohet por edhe të pajiset edhe me inventarin që i nevojitet”.

“Ne po krijojmë një ambient të mirë dhe na mbetet përgjegjësi edhe në nivelin qendror edhe në nivelin lokal që të punojmë. Ne u sigurojmë qe do të kemi bashkëpunim të ngushtë që nxënësit të kenë hapësirë dhe mundësi të mësojnë. Ne jemi në një fazë të zhvillimit të mësimit modern dhe në bashkëpunim me DKA-në dhe mësimdhënësit në Malisheve do të kemi mësim modern për nxënësit”, ka thënë ministri Bytyqi, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se ishte koha e duhur që Llazica të kishte një shkollë të tillë.

“Kam kujtime të hershme për këtë shkollë, për këtë lokalitet. Unë ju them që ata që punojnë për këtë vend ju lumtë puna. Ju lutëm që tua kthejmë dashurin të rinjve për këtë vend. Ne kemi dhënë shumë prandaj duhet të punojmë. Ne kemi dhënë shumë për këtë vend. E shikoni se cila është fuqia ti kesh njerëzit në pushtet, më shumë se 10 milion euro investime në Malishevë”,tha ai.

Drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti”, Fadil Javori, falënderoi ministrinë për ndërtimin e shkollës së re.

 

Të ngjashme