Më 1 dhjetor 1958, pra 60 vjet më parë, u shfaq për herë të parë në Shkodër opera e parë shqiptare “Mrika”, e kompozitorit Prenk Jakova.
”Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, transmeton ATSH.
Opera “Mrika” ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane, si Palok Kurti, Lec Kurti, Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka, Shuk Shllaku, dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë emra të tjerë të muzikës, si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani
“Mrika” mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë me në krye të madhin Prenkë Jakova që dhe Shqipëria të kishte operën e saj. Kujtimi i një plejade të tillë, e cila arriti një sukses të madh të kohës, e që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike, është një detyrim moral i ditëve të sotme.