Pesë fëmijë dhe katër persona të rritur janë vrarë nga një sulm me raketë që i goditi një kamp refugjatësh dhe një shkollë në rajonin Idlib të Sirisë.
“Për fat të mirë, shumica e nxënësve ishin larguar nga shkolla vetëm dhjetë minuta para bombardimit, por aty ende ndodheshin disa fëmijë duke luajtur para shkollës”, tha Mustafa Al Rashid, zëdhënës i Zyrës për Mbrojtje Civile në qytezën Sarmin.
Ai ndodhej në zyrë në momenin e sulmit dhe shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes për të gjetur persona të mbijetuar. Raportohet se raketa ra mes një shkolle dhe një kampi të refugjatëve, duke i dëmtuar dy ndërtesat.
Përpos nëntë të vrarëve, në këtë sulm u lënduan 19 persona. Në mesin e tyre është edhe një mësues, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Qyteza Sarmin shtrihet në lindje të Idlib-it dhe së fundi është bërë vendstrehim për personat e zhvendosur shkaku i sulmeve ajrore të forcave të Assad-it dhe ushtrisë ruse. Sipas Kombeve të Bashkuara, 235 mijë civilë janë larguar nga shtëpitë e tyre në javët e fundit.
Naji Al Mustafa, zëdhënës i Frontit Kombëtar për Çlirim, tha se raketa e përdorur në këtë sulm ishte e tipit “Tochka”, e prodhuar në Rusi. Sipas tij, kjo raketë ka rreze veprimi mes 70 dhe 90 kilometrave dhe bart bomba më të vogla, të cilat shpërndahen për të mbuluar një sipërfaqe prej 100 metrave katrorë, shkruan “The Guardian”.