Pesë fshatra të Komunës së Vitisë, Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik janë bërë me rrjet të ujësjellësit, falë një investimi të përbashkët të Komunës së Vitisë, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë si dhe Qeverisë së Kosovës, në vlerë prej rreth 740 mijë euro.
Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti të pranishëm ishin kryetari i Vitisë, Sokol Haliti Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi Qeverisë së Kosovës, Zëvendës drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë në Kosovë, Bernhard Soland si dhe përfaqësues nga partneri implementues CDI, KRU “Hidromorava” etj.
Me këtë rast, Zv.Ministrja Besa Zogaj-Gashi, ka thënë se në saje të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me komunat dhe donatorë të ndryshëm është punuar shumë në sektorin e ujërave dhe kanalizimeve.
“Në sektorin e ujit dhe kanalizimeve gjatë këtyre viteve ka pasur investime të konsiderueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës, nga komunat si dhe donatorët e ndryshëm si Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Banka Botërore, USAID, Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria e Luksemburgut etj.”, ka thënë ajo.
Ndërsa, kreu i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti pasi ka theksuar se Projekti i ujësjellësit për 5 fshatrat e kësaj ane është një nga projektet më të rëndësishme që si qeveri komunale kanë finalizuar së fundmi, pasi përmes këtij projekti kanë bërë zgjidhjen e problemit të ujit të pijes për mbi 8 mijë banorë të këtyre fshatrave.
Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës si dhe Zyrën Zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë komunës në realizimin e projekteve të ndryshme në interes për qytetarët.
Zëvendës drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Bernhard Soland, ka thënë se Qeveria zvicerane është e interesuar që përmes ndihmës së drejtpërdrejtë në projekte të ndryshme të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë, dhe në këtë drejtim edhe ky projekt besojmë se do të ndikoi në jetën e përditshme të qytetarëve të këtyre lokaliteteve.
Ndryshe, për projektin e rrjetit të ujësjellësit për këto pesë fshatra, Komuna e Vitisë ka ndarë 330 mijë euro, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë 288 mijë euro dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik 128 mijë euro.