Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se për një ditë janë regjistruar pesë raste të dhunës në nivel vendi.
Sipas këtij raporti dy raste të dhunës janë raportuar në rajonin e Prishtinës, dy në rajonin e Prizrenit dhe një në rajonin e Gjakovës, njofton Klankosova.tv.
Një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje dje në Prishtinë pasi kishte ushtruar dhunë psikike dhe e kishte kërcënuar gruan e tij.
Në Fushë Kosovë një person ka lajmëruar në polici se është sulmuar fizikisht nga djali i tij. Rasti mbetet akoma nën hetime.
Një person tjetër është arrestuar dhe dërguar në mbajtje dje në Prizren pasi kishte sulmuar fizikisht gruan e tij duke i shkaktuar lëndime trupore.
Edhe një nënë banore e Prizrenit ka lajmëruar në polici se është sulmuar nga dy djemtë e saj. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion të policisë, janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë mbajtur për 6 orë dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Gjakovë dje është raportuar një rast i dhunës. I dyshuari kishte sulmuar fizikisht gruan e tij. Kjo e fundit pas trajtimit nga plagët e marra është strehuar në një shtëpi të sigurtë me foshnjën e saj 11 muajsh. I dyshuari është dërguar në paraburgim për 48 orë.