Pesë organizata sindikale kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen këtë javë Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që ta revokojë vendimin për pezullimin e Ligjit për Paga.
Kështu kanë vendosur të hënën drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Sindikatës së Policisë, Sindikatës së Doganës dhe Sindikatës së Zjarrfikësve. Sipas një njoftimi të përbashkët për media që e kanë lëshuar këto sindikata, këtë veprim po e bëjnë për të ruajtur paqen sociale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për Paga deri në muajin mars. Kjo për shkak se Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Kushtetueses duke kërkuar interpretim për Ligjin e Pagave meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik ndaj këtij ligji.
Pesë sindikatat që po kërkojnë që Kushtetuesja ta revokojë vendimin për pezullimin e Ligjit për Paga, në njoftimin për media, kanë bërë të ditur se këtë çështje e kanë diskutuar edhe me Avokatin e Popullit në një takim që e kanë zhvilluar javën e kaluar.