Së paku pesë persona kanë vdekur nga një stuhi me erëra të fuqishme dhe reshje të mëdha të shiut, e cila i ka përfshirë disa vende të Evropës Perëndimore.
Dy gra, nënë e bijë, vdiqën në Poloni pasi stuhia e rrëzoi kulmin e një ndërtese në qendrën e skijimit në Bukowina, afër kufirit me Sllovakinë. Dy persona të tjerë u lënduan në këtë incident.
Në Suedi, një burrë u mbyt në ujë pasi barka me të cilën po lundronte në liqenin Fegen u përmbyt. Një person tjetër, i cili ndodhej në të njëjtën barkë, është zhdukur dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Dy burra, njëri në Slloveni e tjetri në Angli, vdiqën pasi veturat e tyre u goditën nga drunjtë e rrëzuar nga era, shkruan “Associated Press”.
Stuhia ka sjellë pasoja më të rënda në Britani të Madhe, ku shumë lumenj kanë dalë nga shtrati dhe i kanë vërshuar rrugët.
Kompanitë ajrore i kanë anuluar shumë fluturime. Njësoj kanë vepruar edhe operatorët e hekurudhave dhe transportit ujor.