Meritat më të mëdha për triumfin e Real Madridit këtë edicion në La Liga, që përfundoi të dielën e shkuar, i kanë futbollistët me përvojë, shkruan AFP. Për Realin, ky ishte titulli i 34-t në histori të klubit. Mirëpo, këtë edicion futbolli spanjoll ka dëshmuar shpërthimin e një numri lojtarësh të rinj në skenë. Më poshtë po paraqesim pesë zbulimet e këtij edicioni në La Liga:
Martin Odegaard – Real Sociedad
Real Sociedad ka pasur shumë histori suksesi këtë sezon, me lojtarët si Alexander Isak, Mikel Merino dhe Mikel Oyarzabal, ku të gjithë ndihmuan për ta mbyllur edicionin në vendin e gjashtë, pozitë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin 2020/21. Mirëpo, mesfushori Martin Odegaard ishte arkitekti i Sociedadit, duke treguar paraqitje të jashtëzakonshme. Madje me këtë paraqitje kanë bërë që te Real Madridi të mendojnë rikthimin e Odegaardit më herët nga huazimi dyvjeçar te Sociedadi. Katër gola dhe pesë asistime ndoshta nuk mjaftojnë për të vlerësuar në mënyrë të drejtë kontributin e 21-vjeçarit këtë edicion. Por kur Sociedadi luajti mirë, Odegaard ishte në zemër të ekipit dhe gjithçka shkonte përmes tij. Dhe, nuk është e rastësishme që loja e Socedadit pësoi rënie kur Odegaard qëndroi jashtë fushës për shkak të lëndimit. Gjysmë dekade pasi Real Madridi e bëri atë një sensacion botëror duke e transferuar në moshën 16-vjeçare, Odegaard po shfaq aftësitë e tij.
Lucas Ocamps – Sevilla
Pasi ndërroi pesë klube brenda shtatë vjetësh, Lucas Ocamps më në fund e ka gjetur veten te skuadra e Sevillas. 25-vjeçari nuk është vetëm golashënuesi më i mirë i Sevillas këtë edicion. Ai është në mesin e pesë shënuesve më të mirë të La Ligas, me 14 gola të realizuara në 32 ndeshje. Sevilla e transferoi Ocamposin nga Marseille dhe ekipi spanjoll mori një perlë për shkak se argjentinasi ishte prej lojtarëve kryesorë të këtij edicioni. Vrapimet dhe energjia e tij në fushë kanë ndihmuar Sevillan që këtë edicion ta mbyllë në vendin e katërt në tabelë, pozitë që dërgon ekipin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ri. Me gjuajtjet e tij të forta dhe qëndrimin e egër, mesfushori Ocampos ka qenë i preferuari i tifozëve të Sevillas që në fillim. Te Sevilla po shpresojnë që Ocamps të vazhdojë shkëlqimin edhe në Ligën e Kampionëve, pasi 26-vjeçari ka vendosur të mbetet në klub edhe për sezonin e ri.