Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për Ekonomia Online, tha këtë vit ka pasur rritje të eksportit edhe përkundër që vendi është duke u përballur me pandeminë.
Por sipas tij, sektori privat do të përballonte më lehtë masat kufizuese sikur Qeveria do të investonte në ekonomi.
“Viti 2021 ka filluar shumë më mirë se viti 2020 përkundër disa masave që i kemi të mbylljes së ekonomisë prapë se prapë statistika janë më mirë se vitin e kaluar dhe ndikim të madh ka pasur edhe rritja e eksportit që u tregua sidomos rezultatet e tre mujorit të parë dhe kjo ka ndihmuar më shumë prodhimin sepse konsumi i brendshëm duke shënuar rritje nuk është në nivel të kënaqshëm”.
“Prodhimi ka pasur rritje pozitive gjatë pjesës së parë të vitit. Shumë më mirë do të ishte sikur të kishim shpenzime qeveritare më shumë dhe të kemi qarkullim të euro në treg sepse kemi ngadalësim të madh. Por sektori privat do të përballonte më lehtë masat kufizuese sikur të kishim në qeveri që do të investonte në ekonomi”.
Panxha shtoi se humbjet më të mëdha gjatë pandemisë kanë qenë në gastronomi, duke shtuar se Qeveria duhet të fillojë të investojë në ekonomi.
“Vendet e punës nuk kemi statistike të saktë mirëpo në sektorin e prodhimit nuk është që ka pasur humbje të mëdha të punës ndërsa në sektor të tjerë të gastronomisë ose që janë prekur më shumë se prodhimi, por kjo është një zinxhir i gjithë furnizimit”.
“Rënie ekonomike ka qenë 4.5% vitin e kaluar që është një rënie e lartë, por këtë vit jemi duke u kthyer në normalitet. Qeveria duhet të fillon të zbaton planin qeverisës, duhet të investohet në ekonomi. Nuk guxon të kemi stagnim në ekonomi”.
Ndërsa, pronar i industrisë së mishit “Meka”, Burim Piraj theksoi se pandemia ka pasur ndikim shumë të te bizneset e vendit.
Tutje, ai tha se ka pasur ngritje të çmimit të lëndës së parë deri në 20%, kurse transporti detar është pesëfishuar duke u shkaktuar probleme të mëdha.
“Pandemia ka pasur ndikim shumë të madh në ekonominë tonë po shihet s’ka ndryshime shumë të mëdha. Poashtu ka pasur një zhvillim jo të pritur. Kemi pasur mungesa të planifikimeve shumë të mëdha dhe po vazhdon dhe kemi ngritje të lëndës së parë ka shkuar lënda e parë deri në 20%”.
“Gjithashtu transporti detar ka arritur një kuotë pesëfish më të lartë se që ka qenë para pandemisë. Tash është 5 mijë dollar një transport detar dhe janë probleme me të cilat po ballafaqohemi ne si ekonomi. Ka problem të mëdha të furnizimeve të shitjeve dhe rënie të konsumatorëve. Nuk ka konsumatorë dhe fuqi blerëse sikurse ka pasur më parë po shpresojmë se do të ndryshojë”.
Piraj theksoi se nga pandemia kanë 10 deri 20 punëtorë më pak të punësuar, raporton EO.
“Tek ne vetëm disa punëtorë që kanë qenë të punësuar në gastronomi. Mirëpo ne kemi punësuar punëtorë të rijnë. Nga planifikimet që kemi pasur para pandemisë, pandemia ka shkaktuar një ngecje dhe prej planifikimeve tona kemi 10 deri 20 punëtorë më pak të punësuar se që kemi menduar se do ti punësojmë deri më tani”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria duhet në mënyrë urgjente të nisë reformën e politikave fiskale dhe tatimore ashtu që bizneset prodhuese të barazohen me bizneset e vendeve evropiane.
“Gjendja është tejet e vështirë. Ne nuk kemi pritur mbështetje ekonomike nga qeveria mirëpo kemi pritur bashkëpunim më të madh dhe kur merren masa të ndryshme sikurse që janë marrë që kemi pasur dëshirë që të bashkëpunojmë institucionet që të japim edhe ne mendimin tonë të mos bëhet bllokimi ashtu siç i kanë bërë bllokimet dhe të pësojë keq gastronomia”.
“Gastronomisë u janë shkaktuar dëme të mëdha si një prej degëve shumë të zhvilluara të ekonomisë tonë. Ka pritje të mëdha prej qeverisë mirëpo nuk po shohim ende një dritë të gjelbër kur do të fillojnë reformat. Kosova ka nevojë për reformat të politikave tatimore të cilat do ti mundësojnë bizneseve zhvillim më të mirë dhe do t’i barazojnë bizneset kosovare me bizneset e rajonit. Pa marrë parasysh se qeveria ka dialogun ekonomia nuk duhet të lihet anash”.
“Nuk duhet të përqendrohemi vetëm në pandemi dhe ta harrojmë ekonominë. Qeveria duhet në mënyrë urgjente të nisë reformën e politikave fiskale, tatimore ashtu që bizneset prodhuese të barazohen me bizneset e vendeve evropiane se përndryshe nuk mund të presim ditë të mira”.