Pesëshja diplomatike në Qeveri, takohen me kryeministrin Kurti

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 10:16 | Nga Loresa Selimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, bashkë me këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, raporton Ekonomia Online.

Pesëshja diplomatike vjen në Kosovë gati një muaj pas agresionit të Serbisë në Kosovë, teksa kryeministri i vendit, Albin Kurti, dje deklaroi se për kërkesat dhe ofertat e tyre do të merret vesh të shtunën.

Pas vizitës që pesë emisarët do ta kenë në Kosovë, ata pritet që menjëherë ta vizitojnë edhe shtetin e Serbisë.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve nga një grup terrorist.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre terroristë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Çfarë kërkon Kosova?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 tetor se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun mes dy vendeve, Besnik Bislimi, ka thënë se fillimisht duhet të hiqen masat ndaj Kosovës, dhe Serbisë nuk duhet t’i lejohet të bëjë agresion përsëri në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Kërkesën e Kosovës për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, i cili përmes një rezolute të miratuar më 19 tetor, ka kërkuar që Beogradi të përballet me pasoja nëse vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin në Banjskë.

Çfarë kërkohet nga dy vendet?

Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pritjet e diplomatëve janë që Kosovës t’i kërkohet që ta gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Nga Serbia besohet se do të kërkohet që të distancohet nga secili veprim që mund ta destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Marrëveshja për normalizim – kyçe

Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

“Do të ketë propozime interesante”

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë për televizionin N1 në Serbi se në takimet e 21 tetorit, Kosovës dhe Serbisë do t’iu bëhen “propozime interesante”, pa dhënë më shumë hollësi.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vetëm kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar tetë herë në kuadër të këtij dialogu, prej vitit 2021, por të gjitha takimet kanë përfunduar pa nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje.

Të ngjashme