Pesha e padurueshme e vetmisë në politikë

Prishtinë | 09 Pri 2023 | 13:52 | Nga Afrim Kasolli

A po jetojnë sot individët gjithnjë e më të vetmuar në mes të turmave? Kjo pyetje ka kohë që është imponuar me të madhe në shumicën e analizave sociale dhe psikologjike.

Shumë nga studiuesit që merren me efektet e kësaj “epidemie” kanë konstatuar madje se pasojat zgavruese të këtij fenomeni janë bërë edhe më të dëmshme për shëndetin e njeriut sasa obeziteti apo konsumimi deri në 15 cigare në ditë. Kohë më parë gazeta e njohur britanike “The Economist” në shkrimin “Alone in the crowd-Loneliness is a contagious disease”, pohonte se studimi i pasojave qofshin mentale ashtu edhe trupore që ka prodhuar shpërhapja e vetmisë mbetet sfidë edhe më e madhe se sa i sëmundjeve të sipërcekura. Bie fjala, pasojat e “obezitetit mund edhe të maten. Por si mund të matet një emocion?” Detyrimi për ta menaxhuar këtë dukuri kishte ndikuar Britania të bëhët edhe njëri nga vendet e para që e emëron ministrin për vetminë.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që edhe vendet tjera janë imune ndaj “epokës së vetmisë” – siç e quan ndryshe rendin aktual George Monbiat.

Kështu gazeta e lartshënuar në një hulumtimin të saj komperativ e pasqyronte ne mënyrë statistikore këtë gjendje. Sipas këtyre të dhënave të bazuara kryesisht në tri vende të pasura, sot 9% e të rriturve në Japoni, 22% në SHBA dhe 23% në Britani në vazhdimësi ndjehen të vetmuar ose izoluar nga interaksionet normale sociale.

Ndërkohë, një studim i mëhershëm tregonte se si në Amerikë 35% e qytetarëve amerikanë mbi moshën 45 vjeçare ishin të pushtuar nga ankthi i vetmisë. Aq shumë ka agravuar kjo prirje, sa që bie fjala sot ne Japoni, deri në gjysmë milioni njerëz ndodh që të mos kenë as një kontakt me botën e jashtme. Për të tejkaluar këtë gjendje “në këtë vend janë krijuar kompani që ofrojnë shërbime për ta lehtësuar kontaktin dhe komunikimin në mes njerëzve”. Fakti se vetmia ka kosto negative për shëndetin e njeriut, konfirmohet edhe nga hulumtime tjera. Të dhëna të tilla tregojnë se si bie fjala gjatë “kampionatit botëror në futboll bie numri i vetëvrasjeve, ndoshta për shkak të ndjeshmërisë së përkohshme të përkatësisë në komunitet“.

Sidoqoftë, shumica e këtyre analizave dhe hulumtimeve që e kanë për fokus studimin e këtij fenomeni, në masë më të madhe janë fokusuar vetëm në pasojat shëndetësore si në aspektin psikologjik ashtu edhe trupor për jetën e njeriut.

Mirëpo, thuajse asnjëra nga këto vështrime nuk është koncentruar seriozisht në detektimin e impaktit negativ që ushtron kjo anomali në jetën politike. Gjithsesi, duhet përmendur faktin se këtu është fjala vetëm për atë formë të vetmisë që në gjuhën angleze quhet “lonlines” e që si e tillë dallon rrënjësisht nga një ajo përvojë tjetër e përjetimit të vetmisë që quhet “solitude”. Për shkak të mungesës së nocioneve adekuate në gjuhën shqipe ne të dy këto nocione i përkthejmë si vetmi. Por në të vërtetë nocionet “lonlines” dhe “solitude” i përshkruajnë dy realitete krejtësisht të ndryshme mentale, sociale, morale dhe politike.

Ka qenë Hannah Arendt që në punimin e njohur “Ideologjia dhe Terrori” (Ideology and Terror), i cili edhe është dhe pjesë e librit të saj “Origjinat e Totalitarizmit”, që në mënyrë mbresëlënëse i ka përshkruar diferencat ndërmjet këtyre përvojave dhe ndikimit që ato kanë pasur në jetën politike të shekullit XX. Gjatë gjurmimit të kushteve politike që mundësuan triumfin e botës totalitare ajo e bënë dallimin ndërmjet izolimit si fenomen dhe vetmisë (si solitude) si dhe vetmisë (si lonlines). Për këtë mendimtare, izolimi është kusht i manifestimit të impotencës në politikë. Sepse nga mungesa e kontakteve me njëri-tjetrin dëmtohet kapaciteti inherent njerëzor për aksion, pa të cilin nuk mund të inaugurohet asnjë veprim politik. Ngase ky i fundit çdo herë bëhet i mundur nga prezenca dhe bashkëveprimi me të tjerët.

Prandaj, edhe promovimi i izolimit ka qenë karakteristikë e tiranive. Në kuadër të këtij rendi megjithatë “jo të gjitha kontaktet ndërmjet qenieve njerëzore shkatërrohen. Sfera private mbetet e pa dëmtuar”. Për dallim nga izolimi që ka karakter destruktiv për sferën publike, vetmia (lonlines) më shumë i përkeqëson dhe shkërmoq marrëdhëniet sociale. Kështu “izolimi dhe vetmia (lonlines) nuk janë të njëjta. Deri sa dikush mund të jetë i izoluar sepse nuk mund të gjej bashkëveprimtar – pa qenë i vetmuar(lonely); po ashtu dikush mund të jetë i vetmuar (lonely) – pra gjendet në një situate ku e ndjen veten të shkretuar nga çdo shoqëri njerëzore – pa qenë i izoluar”.

Në këtë mënyrë përhapja masive e vetmisë (lonlines) e rrënon bazën e përvojës së përbashkët njerëzore. Sepse edhe përjetimi më themelor “ i eksperiencës qoftë materiale apo sensuale të botës së dhënë varet nga zhvillimi i kontakteve të njeriut me njerëzit tjerë, mbi ‘commonsensin’ e përbashkët”. E, pa këtë përvojë të përbashkët që i rregullon dhe kontrollon të dhënat e ndjenjave tjera, secili nga ne, do të zhytej brenda kornizave të “solipsizimit” ku për pasojë do të shthurej parimi specifik i “jetës plurale, ngase siç dihet, jo njeriu si qenie singulare, por njerëzit në sensin plural e banojnë botën e përbashkët njerëzore”.

Ndërkohë, ky dallim ka edhe impakte tjera. Sepse për dallim nga vetmia (lonlines) ku njeriu ndjehet i deprivuar jo vetëm nga bashkëshoqërimi me të tjerët por edhe me vetveten, në gjendjen tjetër si “solitude” qenia njerëzore ruan sensin e dialogut të paktën me vetveten.

Me fjalë tjera, në këtë situatë vetmitare (solitare) njeriu nuk e humb kontaktin me qeniet tjera njerëzore dhe e ruan sensin pluralitetit për shkak të këtij komunikimi intrapersonal. Tipare këto që i mungojnë vetmisë( si lonlines). Sepse në këtë rast ndodh humbja e besimit në vetveten dhe “konfidencës elementare në vet botën e cila është një kusht i domosdoshëm për ta mundësuar vetë eksperiencën në përgjithësi. Pra vetja dhe bota, aftësia për mendim dhe përvojë të gjitha humbin në të njëjtën kohë“. Me këtë rast, Hannah Arednt e shpjegon edhe suksesin e ideologjive totalitare. Shpeshtimi i “masave të vetmuara” ka qenë ndër arsyet pse ato u bënë forca masive mobilizuese për organizmin politik në atë kohë.

Kjo kategori e njerëzve të çorientuar në kohë dhe hapësirë dhe të tjetërsuar nga vetvetja e të shkëputur nga bota reale, kishin gjetur strehë në kuadër të këtyre ideologjive si dhe liderëve autoritar si shpëtimtar për gjendjen e tyre “të tmerrshme të të qenit vetëm në mes njerëzve”. Fakti se pse këto ideologji përbëjnë model për mobilizim në këtë realitet psiko-social, konvergon edhe me karakterin e tyre propagandistik dhe ideologjik që shkëputet prej realitetit dhe prej të gjitha eksperiencave jetësore.

Prandaj, këto efekte negative të vetmisë në jetën politike, dëshmojnë, më mirë se asgjë tjetër, edhe për sukseset e popullzimit kohën e fundit. Sepse, ky i fundit nuk do të mund të marshonte me kaq lehtësi, pa shkatërrimin e vijës ndarëse ndërmjet “faktit dhe trillimit si dhe të vërtetës dhe falsiteti” , shkatërrim ky që mund të ushqehet në masë të madhe nga përvoja e sipërcekur e vetmisë.

Të ngjashme