E rrallë në një fshat në Cërrik. Banorët ankohen se peshqit po i lënë pa ujë. Më saktë pronarët e një rezervari ku rriten peshq.
Bëhet fjalë për fshatin Xherie. Thatësira e gjatë dhe temperaturat përvëluese kanë bërë që toka në këtë fshat të zhuritet nën këmbë. Të gjitha prodhime bujqësore po thahen. E vetmja pasuri gjatë stinës së verës është rezervuari i mbushur me ujë. Por pronari ka mbyllur rubinetin se ka hallin pse peshku mund ti mbetet pa ujë.
“Janë 40 ha me prodhime që po thahen e po bëhen shkrumb”, shprehet banori. “Rezervuari që kemi në fshat është e vetmja mundësi për të vaditur tokat. Por pronari ka hallin e peshkut. Rezervuari është i të gjithëve dhe jo e një personi që e ka marrë në përdorim. Është pasuri e tërë fshatit. Për më tepër ai nuk është nga fshati jonë por nga fshati Shalës. Çfarë pune ka ai me rezervuarin tonë”, shprehet banori.
Nisur nga kjo situatë e rënduar edhe nga thatësira e tejzgjatur, dy fshatrat i bëjnë thirrje strukturave të Drejtorisë së Bujqësisë, madje edhe policisë së shtetit të ndërhyjë pasi shumë shpejt ata do t’i drejtohen protestave duke bllokuar punimet në rrugën e Belshit nëse nuk ndërhyhet.
Situatë e ngjashme haset edhe në fshatra të tjerë, që edhe pse kanë rezervuare dhe liqene afër, mungesa e sistemit të kanalizimeve ka bërë që bujqësia e tyre të pësojë një goditje të rëndë duke humbur prodhimin e këtij viti.