Pete Buttigieg, ish-kryetar i një qyteti në Indiana, ka shënuar fitore të lehtë në rrethin e parë zgjedhor në Ajoa, proces i cili në muajt vijues përcakton se kush fiton nominimin e demokratëve në garën për president të Shteteve të Bashkuara.
Pas numërimit të 62 për qind të votave, Buttigieg ka fituar 26.9 për qind të përkrahjes, i përcjellë nga senatori, Bernie Sanders me 25.1 për qind, më pas senatorja Elizabeth Warren me 18.3 për qind dhe ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden me 15.6 për qind.
Në këtë rreth zgjedhor, kandidatët garojnë për të fituar sa më shumë delegatë në konventën shtetërore të partisë që zhvillohet më vonë gjatë vitit.
Buttigieg, 38-vjeçar, që nuk ka qenë i njohur në gjithë kombin një vit më parë, e ka konsideruar rezultat preliminar si “fitore të jashtëzakonshme”.
Pas publikimit të rezultateve të para, ai ka përmendur homoseksualitetin e tij, duke thënë se rezultati i Ajoas flet shumë për këtë çështje.
“Kjo vlen për fëmijët, për dikë në komunitet që mendon nëse i ai apo ajo i përkasin familjes që kanë. Nëse besoni në veten dhe shtetin tuaj, ekziston përkrahje e madhe në atë besim”, ka thënë ai.
Rezultatet e pjesshme janë publikuar 20 orë pas përfundimit të procesit të votimit.
Numërimi i votave është thënë të jetë vonuar për shkak të “gabimit të kodimit”.
Ajoa ka 41 nga 1,9991 delegatët që kërkohet të ofrojnë mbështetje për nominimin e kandidatit për garën presidenciale.
Nga viti 1996, secili demokrat që ka fituar rrethin e parë zgjedhor në Ajoa ka siguruar nominimin e partisë për zgjedhjet e muajit nëntor.
Sanders, Biden, Warren, dhe Buttigieg aktualisht konsiderohen kandidatët kryesorë në garë.