Petkoviq: Kurti po mundohet në çdo mënyrë ta evitojë Asociacionin

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është deklaruar për takimin në Bruksel.

Petkoviq për “TV Pink” ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mundohet në “mënyra të ndryshme” që ta evitojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurti po mundohet që në çdo mënyrë të evitojë obligimin e formimit të AKS-së. Ai e bën në mënyra të ndryshme e hileve të ndryshme. Presidenti Vuçiq po lufton dhe insiston për AKS-në, pasi është detyrim i Prishtinës që ekziston tash e 10 vjet”, ka thënë Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Të ngjashme