Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke komentuar vendimin e këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës mbi lumin Ibër, vlerësoi se “okupacioni Gauleiter Albin Kurti sot pa mëdyshje ka treguar se dëshiron dhe ëndërron luftë dhe se i gjithë veriun e Kosovës ta çojë në konflikt”, raporton Kosovo-online, transmeton Klan Kosova.
Siç thuhet në njoftimin e zyrës që ai përfaqëson, Petkoviq ka deklaruar se Kurti “sot ka urdhëruar këshilltaren e tij Aida Ferati që në seancën e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës ta përfshijë pikën e rendit të ditës për hapjen e urës së Ibrit që ndan pjesët veriore dhe jugore të qytetit dhe që paraqet një mburojë të rëndësishme të sigurisë për serbët në Kosovë”.
“Qëllimi i kësaj lëvizjeje të njëanshme dhe të paligjshme të Kurtit është që të çojë në tensione dhe provokime të reja në kurriz të popullit paqësor serb në veri të Kosovës. Për këtë vendim votuan 11 këshilltarë nga Prishtina, një abstenoi dhe një këshilltar kundër”, citohet Petkoviq në deklaratë.
Ai po ashtu ka theksuar se “hapja e urës së Ibrit është pjesë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, e jo Gauleiter ilegal i Kurtit”.
“Menjëherë i kam njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe ndërmjetësuesin në dialog, Miroslav Lajçak, për këtë lëvizje të fundit luftarake të Kurtit dhe presim që ata ta qetësojnë dhe frenojnë Kurtin, i cili po bën gjithçka për të shpëtuar nga obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shkatërrimin e dialogut në Bruksel më 2 maj. Nuk ka progres e as normalizim të marrëdhënieve përderisa Kurti bën lëvizje të tilla të njëanshme, me të cilat dëshiron të fusë në tërë veriun e Kosovës gjendje lufte, dhe i takon perëndimit të parandalojë lëvizje të tilla nga Prishtina”, theksoi Petkoviq.