Petkoviqi refuzoi të diskutojë për bllokimin e subvencioneve të bujqve në Luginë, reagon Kamberi

Prishtinë | 11 Sht 2025 | 23:35 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, refuzoi të diskutojë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për subvencionimin e bujqve, ndihmë që jep Qeveria e Kosovës, por që është bllokuar nga Beogradi.

Në një postim në Facebook, Kamberi ka theksuar se Serbia po i mohon të drejtat e pakicave kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar.

“Sanksionet juridike për përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimi i pamjaftueshëm në drejtësi, polici e institucione publike, si dhe diskriminimi sistematik, tregojnë se ka një asimetri midis politikës së jashtme të Serbisë dhe politikës së saj të brendshme ndaj pakicave,” shkroi ai.

Kamberi ka akuzuar Serbinë për kufizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke këmbëngulur se Serbia po vazhdon të zbatojë norma që nuk njihen as nga e drejta ndërkombëtare, kur flitet për statusin dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Në Bruksel, të enjten, u zhvillua një raund i ri bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas takimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është diskutuar edhe për bllokimin nga Serbia të subvencioneve për fermerët në Luginën e Preshevës. Rreth një milion euro, të destinuara për fermerët e këtij rajoni nga Qeveria e Kosovës, janë mbajtur të bllokuara nga autoritetet serbe.

Të ngjashme