Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi ku pretendohet se kryetari aktual, Ramiz Lladrovci është i përfshirë në pazare milionëshe me toka komunale.
Përmes një postimi në Facebook, Hajdari e cilësoi këtë ngjarje si një “skandal të paprecedentë” dhe “abuzim flagrant me detyrën publike dhe pasurinë e qytetarëve”.
Ai tha se në incizim dëgjohen shifra marramendëse përfitimi 20 milionë, 15 milionë dhe 7.5 milionë euro – ndërkohë që, sipas tij, qytetarët e Drenasit ende përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe kushte bazike jetese.
“Duket kriminale që disa persona rreth Kryetarit në largim të bëhen milionerë për një natë, ndërsa mijëra qytetarë tanë luftojnë çdo ditë për ta lidhur muajin me muaj,” ka shkruar Hajdari, duke shtuar se ky është një “kontrast i dhimbshëm dhe fyerje për çdo familje të komunës”.
Duke e cilësuar incidentin si “turp institucional” dhe një dëshmi për atë që mund të ketë ndodhur për më shumë se një dekadë në qeverisje, Hajdari ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të nisin menjëherë hetimet.
“Ftoj Prokurorinë që ta marrë urgjentisht këtë rast në shqyrtim, ta hetojë deri në fund dhe t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën dhe me besimin e qytetarëve. Çdo vonesë është bashkëfajësi,” theksoi ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Hajdari shprehu vendosmërinë për ta kthyer Drenasin “tek qytetarët”, duke theksuar se gara për të udhëhequr komunën nuk mund të ndotet me skandale dhe pazare.