Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë zyrtarët në Kosovë dhe Serbi duhet të çarmatosen verbalisht ashtu që të shtensionohet situata e krijuar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-përfaqësues i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mençur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun që e ndërmjetëson mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky shembull tregon sesi zvarritja e procesit nuk funksionon.
“Tash e sa muaj nuk është bërë mjaftueshëm në procesin e dialogut. Dhe, ja ku është rezultati. Në muajt e kaluar nuk kanë ndodhur shumë gjëra, në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Këto lloje konfliktesh mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndalen. Bashkimi Evropian ka shumë përgjegjësi për këtë gjë. Lajçak besoj se është i zënë natë e ditë për zgjidhje të situatës, mirëpo ai duhet të arrijë përparim edhe në aspektin e zbatimit dhe zgjidhje së konfliktit”, tha Petritsch. “Bashkimi Evropian është pranuar nga të dyja palët si ndërmjetësues. Prandaj, blloku evropian është në rol udhëheqës, duket të jetë aktiv dhe prezent në Beograd dhe Prishtinë, në mënyrë që të shohim rezultate. BE-ja duhet të rrisë angazhimin. Ky është një nga shembujt më të rrezikshëm sesi zvarritja nuk funksionon. Dialogu nuk duhet të ndalet. Nëse ndalet, rrëshqasim në konflikt. Ecja përpara është strategjia që mund të rezultojë e suksesshme”.
Petritsch ka thënë se shtyrja e implementimit të vendimit për reciprocitet për letërnjoftime e vendimit për targa me Serbinë ka qenë lëvizje e mençur, pasi ndihmon në ulje të tensioneve.
“Natyrisht që agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka ndikim edhe në Ballkan, pasi e dimë se aktorë të mëdhenj, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë të përfshirë në çështjen e Ukrainës. Ata janë edhe aktorë të jashtëm në Ballkan. Pra, ekziston një lloj ndërlidhjeje që e bën edhe më të rëndësishme uljen e tensioneve dhe uljen në tavolinën negociuese, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Mendoj se është vendim i mençur që kontribuon në ulje të tensioneve. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në këtë rast, tentimet për zbatim të vendimeve nuk do të ndihmojnë në stabilizim të situatës, në të kundërtën, situata shumë shpejt mund të shndërrohet në konflikt serioz”, tha Petritsch.
Petritsch ka shtuar se është me rëndësi që të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe bazuar në marrëveshjen e vitit 2015.
“Mendoj se është e nevojshme që të ketë një lloj Asociacioni të bazuar në marrëveshjet e vitit 2015. Ajo duhet të zbatohet. Megjithatë, e shoh se Kosova qartazi nuk dëshiron të ketë një Republika Sërpska. Edhe linja e Washingtonit dhe Brukselit është se nuk dëshirojnë një tjetër Republika Sërpska në Kosovë, mirëpo një asociacion të komunitetit serb atje, kur është fjala për çështje që mund t’ua përmirësojnë jetën atyre njerëzve. Kjo fillimisht ka të bëjë me komunitetin serb, por diçka e tillë do t’i shërbente edhe komunitetit shqiptar, sepse janë duke jetuar bashkë. Duhet të gjendet kompromis. Pra, nuk duhet të jetë mbi baza etnike, mirëpo në të njëjtën kohë duhet t’iu japë të drejta minoriteteve ku janë, e që në këtë rast është komuniteti serb në veri të Kosovës”, tha Petritsch.