Petritsch për zhvillimet në veri: Kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch duke iu referuar zhvillimeve të fundit në veri ka vlerësuar që kjo të jetë kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Petritsch që për një kohë ishte i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në një intervistë për Demostat ka theksuar se gjërat lehtë mund të dalin jashtë kontrollit dhe sipas tij “të shkatërrohet gjithçka që është arritur në dialogun Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e fundit”.

“ Ajo që na duhet tani është një përpjekje e re e Brukselit për të rikthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve”

“Normalizimi është i një rëndësie thelbësore, sepse do të krijonte parakushtet për përparim ekonomik. Kjo është ajo që njerëzit duan, jam i sigurt. Ka shumë qytetarë të rinj dhe të talentuar që lënë shtëpitë e tyre për të emigruar në vende më paqësore, si Austria, Gjermania dhe Zvicra. Por Evropa dëshiron të shohë prosperitet dhe jo konflikt në vendet e ish-Jugosllavisë. Epoka e luftërave ka përfunduar. Tani duhet të rindërtojmë ekonominë dhe të garantojmë një jetë më të mirë për qytetarët”, deklaroi ai.

Duke folur për hapat që duhet të ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar tensionet e reja që erdhën pas sulmit terrorist në Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku, Petritsch u shpreh “Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja, duhet t’i detyrojnë të dyja palët të kthehen në dialog”.

“Këtë vit kemi parë një përparim në Bruksel dhe Ohër. Tani është koha për të zbatuar atë që është rënë dakord në ato takime. Propozimi gjermano-francez mbetet udhërrëfyesi më i mirë për uljen e tensioneve. Shpresoj se Parisi dhe Berlini do të kthehen në rolin e tyre për të mbështetur aktivisht BE-në në përpjekjet e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka plan tjetër që do të ishte i suksesshëm, pohon Petrich.

Të ngjashme