“Pezullimi i lëvizjes pa viza për shqiptarët”, reagon ambasada e Holandës në Tiranë

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Pas letrës së një grupi deputetësh holandezë drejtuar komisionerit Avramopulos për pezullimin e vizave për Shqipërinë, reagon edhe ambasada në Tiranë.

Përmes një njoftimi për mediat ambasada e Holandës në Tiranë njofton se Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

REAGIMI I AMBASADES

Parlamenti holandez i kërkoi Qeverisë holandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.

Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria holandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.

Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Holanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisioni do të informojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.

Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pasaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme