Ushtria amerikane pezulloi nga puna 14 oficerë të lartë të martën dhe urdhëroi ndryshime të politikave pas një hetimi të gjerë të pavarur mbi sulmet seksuale dhe dhunën në bazë, duke përfshirë vrasjen e një ushtareje në fillim të këtij viti.
Në një konferencë për shtyp të Pentagonit, Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy tha se një bord i pavarur civil gjeti probleme të përhapura në bazën e dytë më të madhe të ushtrisë amerikane, duke përfshirë dështimet për të hetuar krimet dhe mungesën e besimit në parandalimin e krimeve seksuale që çuan në krijimin e kushteve për sulme dhe ngacmime seksuale.
McCarthy u tha gazetarëve se çështjet në Fort Hood, duke përfshirë një mori vrasjesh dhe zhdukjesh dhe një nivel më i lartë krimi se sa në çdo bazë tjetër të ushtrisë, “janë të lidhura drejtpërdrejt me dështimet e udhëheqjes”. McCarthy tha se udhëheqësit përcaktojnë kulturën dhe ai ishte shumë i zhgënjyer që këta udhëheqës “dështuan të krijonin në mënyrë efektive një klimë që i trajton të gjithë ushtarët me dinjitet dhe respekt”.
Fort Hood është përballur me vëzhgim intensiv pas disa incidenteve të fundit, përfshirë vdekjen e oficeres Vanessa Guillén, e cila u vra nga një ushtar tjetër në prill. Eshtrat e saj u gjetën në një gropë të cekët në qershor pas zhdukjes së saj.
Të liruarit nga detyra përfshinin komandantin e bazës Fort Hood në kohën e vdekjes së ushtares Guillén, Gjeneral Major Scott L. Efflandt. Ushtria liroi nga detyra edhe udhëheqjen e njësisë ku shërbente oficerja Guillén, kolonelin Ralph Overland dhe Majorin Bradley Knapp.
Shefi i Shtatëmadhorisë, Gjenerali James C. McConville, tha se ai telefonoi familjen ushtares Guillén përpara konferencës për shtyp duke u zotuar se do të transfonte mjedisin e punës në ushtri. McConville tha se ai i tha nënës së ushtares Guillen se Ushtria Amerikane ishte përgjegjëse për vdekjen e vajzës së saj dhe u zotua të rregullojë problemet që çuan në vdekjen e saj.