Pronarët e 25 kompanive të transportuesve të udhëtarëve të linjës Podujevë-Prishtinë e kanë pezulluar grevën e paralajmëruar për të hënën.
Kryetari i Shoqatës së këtyre kompanive, Beqir Mustafa, ka thënë se arsyeja e pezullimit të grevës është bërë për shkak të festës së pavarësisë, por edhe për shkak të aksioneve që, sipas tij, kanë ndërmarrë inspektorët e komunikacionit në Podujevë dhe Prishtinë për largimin e taksive ilegale në këtë linjë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“E kemi pezulluar për një muaj ditë edhe për shkak të festës, po edhe kanë filluar inspektorët edhe të Prishtinës të Ministrisë edhe të Podujevës dhe tash ka njëfarë rezultati, ka një përmirësim. Për atë e kemi pezulluar për një muaj ditë”, ka thënë Beqir Mustafa.
Sipas tij, prej mëngjesit të ditës së hënë orari i të gjitha linjave funksionon pa problem.
“Inspektorët kanë filluar pa ndërpre të punojnë pas një jave që e kemi paralajmëruar grevën, sidomos në Podujevë kanë marrë fortë aksion. Nëse vazhdojnë aksionin ne e vazhdojmë punën edhe nuk mbajmë grevë s pas një muaji. Por nëse nuk ka rezultat në hyjmë prapë në grevë, pas një muaj dite më 18 (mars v.j.)”, është shprehur kryetari i Shoqatës së transportuesve të udhëtarëve të linjës Podujevë-Prishtinë-Podujevë.